Ministrja Ogerta Manastirliu njoftoi këtë të hënë masat e reja para festave të fundvitit. Kështu, duke filluar nga data 24 Dhjetor, do të ndalohet lëvizja duke nisur prej orës 20:30 të mbrëmjes deri në 06:00 të mëngjesit.

“Kemi vendosur kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 20:30 deri në orën 06:00, nga data 24 Dhjetor deri në datën 4 Janar. Prej datës 5 Janar, kufizimi rikthehet në orën 22:00 deri në orën 06:00. Përjashtim nga ky rregull bëhet për persona që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme. Personat që lëvizin për arsye pune ose arsye të domosdoshme pajisen me autorizim përmes portalit e-Albania. Prej datës 5 Janar kufizimi i lëvizjes rikthehet në orën 22:00, sipas specifikave që tashmë i njohim”.

Të njëjtat fasha orare janë vendosur edhe për bizneset.

Po ashtu kemi marrë vendim për kufizmin e aktivitetit të bareve, restoranteve, fast food-e që shërbejnë për klientët, nga ora 20:30 deri në orën 06:00, duke filluar nga data 24 Dhjetor deri më 4 Janar, duke përjashtuar shërbimin në banesë, atë delivery. Prej datës 5 Janar kufizimi i bareve dhe restoranteve rikthehet në orën 22:00″, tha Manastirliu.

Ministrja po ashtu rekomandoi të gjithë qytetarët të shmangin udhëtimet jo thelbësore, si dhe aktivitete jo thelbësore.

“Këto masa që kemi marrë kemi vendosur së bashku me Komitetin Teknik të Ekspertëve do të vlerësohen në mënyrë dinamike, pra nëse do të jetë e nevojshme sikurse është bërë deri më sot do të merren masa të reja ose do të rivlerësohen ato ekzistuese”, shtoi ajo më tej./tvklan.al