Më tepër sesa një frikë për një luftë të mundshme, parashikimi për një katastrofe humanitare dhe sidomos dyndja e madhe e refugjatëve kosovare ka bërë që krerët e shtetit të ngjiten me makina drejt Veriut. Në ç’gjendje është ushtria dhe si do i ndihmojnë kosovarët që kanë mbërritur. Më këtë pikësynim Presidenti Mejdani, Kryeministri Majko, Ministri i Mbrojtjes Hajdaraga dhe Ministri i Rendit Petro Koçi që në orët e para të mëngjesit kanë marrë udhën drejt Veriut.

Në Bashkinë e Kukësit ku janë dhe mjaft gazetarë të medias e të huaj, krerët e Qeverisë janë njohur me atë që ka bërë Pushteti Lokal për të sistemuar mijërat e refugjatëve kosovare.

“Pushteti Lokal, përfaqësuesit e gjithë niveleve janë angazhuar tërësisht por ne kërkojmë impenjim akoma më të mirë, më maksimal për të përballuar çdo situatë dhe në vazhdimësi për të korrigjuar ato gjëra që mund të jenë lënë sot pasdore. Situata padyshim që është një situatë e vështirë, por unë kam bindjen që populli shqiptar i angazhuar tërësisht, shteti shqiptar do arrijnë ta kapërcejnë këtë situatë.” -shtoi Mejdani.

Inspektimi në Divizionin e Këmbësorisë së Kukësit ka qënë pika e dytë e ndalesës. Për shkak të sekretit ushtarak nuk është lejuar media përveç asaj shtetërore. Më pas gazetarët janë lejuar të shohin fushën ku është vendosur formacioni ushtarak në rast lufte. Më tej autokolona e gjatë është shpërngulur për në Has.

Banorët e këtij qyteti kanë treguar se sidomos gjatë natës dëgjohen prej fshatrave matanë kufirit bombardimet e ushtrisë serbe në fshatrat kosovare. Në Krume ata kanë vizituar tanket, topat dhe pozicionin e ushtrisë shqiptare. Krerët e shtetit kanë vizituar vendet ku janë sistemuar refugjatët kosovarë.

Luan Hajdaraga: Unë si Ministër i Mbrojtjes më takon të jem edhe më shpesh këtu për të ndjekur nga afër situatat për të cilat Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm ka informacionet e përditshme. Por sidoqoftë është e nevojshme që herëpashere Ministri i Mbrojtjes sipas situatave të ndodhet edhe pranë ushtarakëve.

Gazetari: Dhe cilat janë informacionet që morët gjatë vizitës, të inspektimit që bëtë?

Luan Hajdaraga: Sigurisht që sëbashku me ushtarakët e mi ne pamë përgatitjet që po zhvillon Divizioni i Kukësit, efektivisht po flas për Kukësin brenda edhe Krumen. Dhe siç konstatuam përgatitja dhe morali i trupave është mjaft i lartë./tvklan.al

Gazetar : Aldon Lipe