Përveçse qytetarët duhet të qëndrojnë në shtëpi gjatë periudhës së epidemisë së koronavirusit do të mungojnë edhe shumë shërbime. Qeveria ka publikuar listën e plotë të atyre që mbyllen dhe të shërbimeve që do të qëndrojnë të hapura, por me orar të kufizuar. Siç duket edhe në këtë listë, do të jenë të mbyllura të gjitha dyqanet dhe pikat e shitjeve jo ushqimore. Po ashtu edhe qendrat tregtare, ndërsa përjashtim bëjnë vetëm marketet dhe supermarketet.

Po ashtu edhe kompanitë prodhuese do të vijojnë të jenë të hapura, por duke u plotësuar kushtet e higjienës punonjësve të tyre. Në listën e shërbimeve që do të mungojnë përkohësisht janë edhe gomisteritë, si dhe shërbimet estetike, apo ato të mirëmbajtjes fizike. Të mbyllura janë edhe pikat e lojërave të fatit apo ato të lodrave për fëmijë. Kjo listë prek edhe arsimin pasi ndalohet tregtia e librave dhe bibliotekat janë të mbyllura. Gjithashtu është e ndaluar edhe tregtia e armëve apo municioneve

Në vend u mbyllën lokalet, kafenetë dhe diskot që në javën e parë të shfaqjes së Covid-19 ndërsa masat janë rreptësuar dita ditës. Sipas aktit të ri normativ edhe supermarketet, marketet, furrat e bukës, farmacitë do të jenë të hapura nga ora 05:00-13:00. Të njëjtin orar ka edhe puna në administratë dhe shërbimi bankar. Ndërkohë nesër gjithçka do të jetë e mbyllur dhe vendi është në karantinë totale.

Klan Plus