Masat e reja nga 1 Qershori



Masat e reja nga 1 Qershori

20:36 24/05/2020

Në një komunikim në Facebook, Kryeministri Edi Rama njoftoi mbrëmjen e kësaj të diele masat e reja duke nisur nga data 1 Qershor. Kështu, nga e hëna e ardhshme, Rama tha se do të hapen kufijtë tokësorë me fqinjët.

“Duke nisur nga e hëna e 1 Qershorit do të hapim kufijtë tokësorë me fqinjët, për të gjithë shqiptarët, qofshin me pasaportë të Shqipërisë, apo të Kosovës, Maqedonisë së Veriut a Malit të Zi. Ne do të vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjithëve pa përjashtim, për kujdes, kujdes, kujdes”.

Sa i përket plazheve, Kryeministri tha se nga 1 Qershori ato do të hapen vetëm për hotelet dhe nga 10 Qershori për të gjithë qytetarët.

“Në 1 Qershor do të hapen kufijtë, por ende jo plazhet. Kam marrë të shara me libër shtëpie dje nga plazhistë në Dhërmi, që i kishte ngritur e përzënë policia. Nuk kam ndërmend të bëj të mirin për t’i hapur rrugë të keqes. Askush sot në Europë nuk i ka hapur plazhet, nuk ka asnjë vend që ka hapur plazhet. Greqia ka vendosur t’i hapë plazhet në Korrik, të tjerë nuk kanë vendosur ende. Ndërsa ne do t’i hapim nga 1 Qershori vetëm për hotelet dhe pas 10 Qershorit për të gjithë pa përjashtim.”

Kryeministri njoftoi gjithashtu sekjo do të jetë java e fundit e kufizimeve dhe orareve, në Tiranë dhe në qytetet tona, por fundjava pa makina do të mbetet në fuqi edhe dy të shtuna e të diela”.

“Për t’u rikthyer pas sezonit të verës çdo të diel minimalisht, nga Tetori dhe deri në Marsin e ardhshëm, si një moment i përjavshëm kushtuar ajrit pa tym makinash, familjeve, të moshuarve, fëmijëve dhe mjedisit, mjedisit tonë “

Deri në fund të muajit, Kryeministri u shpreh se qeveria do të ketë strategjinë e re për transportin publik, duke e hapur atë pjesë-pjesë.

Do t’i hapim pjesë-pjesë linjat e transportit publik, duke vënë në jetë një reformë tërësore të këtij sektori në një pjesëmarrje direkte të shtetit, në garantimin e standardeve të reja, jo thjeshtë në funksion të mbrojtjes të shëndetit sot, por edhe të rritjes së ndjeshme të cilësisë së shërbimit në transportin publik, urban dhe ndërurban nesër”.

Shumë shpejt qeveria do të paraqesë gjithashtu një plan të ri kombëtar për rimëkëmbjen.

“Shumë shpejt do të paraqesim planin e ri kombëtar të rimëkëmbjes ekonomike dhe të zhvillimit social, me synimin që 4 mujori i fundit i këtij viti të kthejë normalitetin në të ardhura për familjet shqiptare dhe për vetë shtetin, Shqipërinë, familjen tonë të përbashkët dhe viti i ardhshëm të shënojë një kapërcim të ri përpara, falë paketës së re tërësore të reformave të këtij plani të ri kombëtar”.  /tvklan.al




Të ngjashme