Në një lidhje në Skype për programin “Historia ime”, në Tv Klan ishte mjekja stomatologe Ermelinda Kumi. Klinikat dentare u rihapën ditën e sotme dhe stomatologia tregoi rregullat dhe masat që do zbatohen.

Ajo u shpreh se gjatë izolimit ka patur shumë kërkesa nga pacientët dhe tani që klinika u hap, do filloj punën me rastet më emergjente.

Kumi ka kërkuar nga pacientët që të vijnë me maskë dhe pas ardhjes në klinikë bëhet dezinfektimi i duarve.

Mirela Milori: Ke klientë sot, të kanë lënë takim pacientë?

Ermelinda Kumi: Në telefon kemi lënë takime, domethënë gjatë gjithë kësaj kohe, gjatë këtyre dy muajve kam patur kërkesa, nëpërmjet telefonit dhe këshilla kam dhënë pafund. Mendoj të fillojmë ashtu siç e thotë dhe protokolli jonë, të fillojmë me urgjencat, emergjencat, që përfshin dhimbjet e dhëmbëve, mbushjet e ndryshme dhe besoj tek kjo do ngelemi për momentin.

Mirela Milori: Çfarë masash ke marrë ti dhe çfarë masash duhet të bëjë klienti për të ardhur në një klinikë dentare?

Ermelinda Kumi: Ajo që u kam kërkuar pacientëve në telefon është që të paraqiten me maskë nëse është e mundur. Nëse nuk është e mundur, se mund të mos e disponojnë një maskë, u jep infermierja tek dera një maskë. Pasi futen në klinikë, kam vendosur, masë e re kjo që nuk ishte më përpara. Kam vendosur në tokë një vend të posaçëm, që do ulen që mos lëvizin në klinikë. Nëse më përpara pacienti futej dhe ishte i lirshëm, tani nuk është më i lirshëm. Duhet të ulet aty, infermierja i dezinfekton duart në momentin e parë sapo ka ardhur, i vendoset kapuçi kokës, vendos masat tek këmbët, që janë kastile për këtë punë. Në një kosh kastile vendos gjërat e tij.  

Edhe mjekët duhet të pajisen më maskë, skafandër dhe një veshje një përdorimshe, që stomatologia u shpreh se të krijon goxha nxehtësi.

Ermelinda Kumi: Për sa i përket veshjes sonë, unë gjithmonë kam punuar me maskë dhe skafandër, ajo që do ndryshojë kësaj rradhe është veshja një përdorimshe që e vesh stafi.

Mirela Milori: Ajo veshja tipike që është si veshje astronauti pak?

Ermelinda Kumi:  Po ajo veshje.

Mirela Milori: Pra dentisti duhet të vishet me atë veshje, që të na kurojë dhëmbët?

Ermelinda Kumi: Sipas protokollit po.

Mirela Milori: Sa praktike është të punosh me këto kushte?

Ermelinda Kumi: Nuk më duket  e vështirë, se jam mësuar të punoj kështu. Ajo që mendoj që ndoshta mund të jetë vështirësi është veshja, se e provova që u veshëm, se krijon goxha nxehtësi kjo veshja një përdorimshe. Këtë vura re të çuditshme./tvklan.al