E ndërsa universiteti “Harvard” po “lufton” me administratën e Donald Trump për masat e vendosura nga kjo e fundit ndaj institucionit arsimor, ka reaguar guvernatorja e Massachusetts, Maura Healey.
Guvernatorja e zonës ku ndodhet universiteti, i ka konsideruar sulme të drejtperdrejta masat e ndërmarra nga Shtëpia e Bardhë ndaj institucionit arsimor. Demokratja është shprehur se këto sulme ndikojnë negativisht në kërkimin shkencor.
Një pasojë tjetër dëmtuese sipas guvernatores është dhe shkurtimi i stafeve mjekësore nëpër spitalet, raporton The Guardian.
“Këto shkurtime në universitete kanë efekte të rëndësishme, duke rezultuar në pushime nga puna të shkencëtarëve dhe mjekëve, si dhe laboratoret klinike për trajtimet e kancerit janë mbyllur”, tha ajo.
Sipas Healey, kjo situatë krijon mundësinë e largimit të shkencëtarëve amerikanë drejt shteteve të tjera si Kina, kjo e fundit me të cilën Trump ka disa “përplasje” për tarifat. Guvernatorja u shpreh se Trump po ua bën jetën amerikaneve më të shtrenjtë.
“Si guvernatore, dua që Massachusetts dhe Amerika të rriten. Ajo që Donald Trump po bën në thelb, është duke ftuar vende të tjera si Kina, që të marrin shkencëtarët dhe studiuesit tanë. Kjo është e tmerrshme, veçanërisht duke marrë parasysh atë që ai i ka bërë ekonomisë. Unë jam duke punuar shumë çdo ditë për të ulur kostot në shtetin tim, për të ulur taksat dhe për të ndërtuar më shumë godina, ndërsa Donald Trump po na e bën jetën më të shtrenjtë dhe më të vështirë pqr të gjithë ne”, tha Healey.
Duke qenë se “Harvard” është universiteti i parë që sfidon presionin nga administrata Trump për të ndryshuar politikat e tij, është përballur me bllokimin e 2.2 miliardë fonde nga ana e Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Sakaq, Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e cila ka kërcënuar se do i heqë universitetit aftësinë për të regjistruar studentë ndërkombëtarë, nëse nuk dorëzon të dhëna mbi “veprimtaritë e dhunshme e të paligjshme të studentëve ndërkombëtarë”.
/tvklan.al