Kapacitetet spitalore drejt ezaurimit në Francë e Brazil

Rritja e ndjeshme e infektimeve ditore me COVID-19 ka detyruar qeverinë italiane të shpallë bllokadën kombëtare për festën e Pashkës, në datat 3, 4 e 5 Prill. Për të penguar shtimin e ritmeve të përhapjes së koronavirusit, në këto data do të kufizohet dalja nga zonat pranë banesave për vetëm 2 persona nga e njëjta familje së bashku me fëmijët.

Në listën e zonave të kuqe, autoritetet kanë futur së fundi edhe Milanon dhe gjithë rajonin e Lombardisë, ku kapacitetet spitalore janë në prag të ezaurimit. Kufizimet e ashpra të lëvizjes, mbyllja e bareve, restoranteve dhe të gjitha bizneseve jo – jetike do të hyjnë në fuqi, të Hënën e 15 Marsit. Arrijnë kështu në 10 rajonet italiane që vendosen në zonën e kuqe. 24-orëshin e fundit Italia shënoi nivelin më të lartë të infektimeve për këtë vit me mbi 25 600 raste, duke u renditur kështu në krye të kontinentit.

Bllokada kombëtare për Pashkë po shqyrtohet si mundësi edhe në Greqi. Franca vijon të jetë në situatë alarmante nga numri i lartë i të shtruarve në terapi intensive, pasi gati 70% të shtretërve i kanë zënë të sëmurët me COVID-19. Situatë e rëndë edhe në Brazil ku numri i infektimeve ditore vijon të jetë pranë rekordeve me mbi 75 mijë raste, më shumë se në gjithë botën. Shifrat e vdekjeve po ashtu janë pranë rekordeve.

Tv Klan