Karantina nuk është në spitalin e Kavajës

Pavarësisht numrit në rritje të të prekurve në Italinë fqinje me koronarovirus, Shqipëria nuk shënon asnjë rast të dyshuar me virusin vdekjeprurës. Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e  Shëndetit Publik, Silva Bino doli përpara mediave për të qetësuar qytetarët  duke garantuar se nuk ka vend për panik.

 “Nuk duhet të ketë panik për momentin nuk kemi asnjë rast të dyshuar në Shqipëri.”

Autoritetet thonë se i kanë marrë masat e nevojshme, por kërkojnë kujdes edhe nga qytetarët.

 “Mos pështyjmë përtokë, të vendosim gropëzën e bërrylit kur teshtimë, mos prekim hundën, gojën, mos i hidhni qyrret.”

Bino mohoi ngritjen e një karantine në Kavajë, pas shqetësimit se nga ana e autoriteteve është përzgjedhur qendra e sapo inauguruar e shëndetit mendor në këtë qytet. Por edhe në këtë dalje përpara mediave ajo  sërish nuk e bëri të ditur vendndodhjen e karantinës.

 “Jo absolutisht jo, është përcaktuar një strukturë spitalore si vend karantine, e vlerësuar edhe nga ne si komitet teknik, që plotëson  standardet. Karantina nuk është vendi ku trajtohen të sëmurët. Karantina është vendi për personat e shëndoshë të dyshuar ose që kanë patur kontakte me persona të sëmurë. Nuk e them emrin e spitalit ku është karantina, sepse do shqetësojë popullatën e asaj zone. Në momentin përkatës këtë gjë do ta merrni vesh.”

Të gjithë qytetarëve që kanë simptoma gripi e veçanërisht atyre që kanë udhëtuar nga vendet e prekura me virusin vdekjeprurës, Instituti i Shëndetit Publik u rekomandon të mos dynden nëpër urgjenca, por të kontaktojnë fillimisht në numrin e gjelbër 127.

Tv Klan