Duke filluar nga dita e nesërme, qarkullimi i automjeteve private dhe i transportit urban do të jetë i ndaluar deri ditën e dielë në orën 00:00 të natës. Po kështu, administrata shtetërore do të jetë në punë dhe qeveria bën vazhdimisht thirrje që qytetarët të qëndrojnë sa më shumë në shtëpi për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Por çfarë do të ndodhë nga dita e hënë, me disa prej bizneseve që do t’u rikthehen punës, siç janë fasoneritë, Call-Center dhe qendrat tregtare.

Kryeministri Edi Rama, në një lidhje telefonike për emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka thënë se nga fillimi i javës së ardhshme, këto sipërmarrje do të kontrollohen dhe inspektohen për masat mbrojtëse që kanë marrë për punonjësit e tyre, duke respektuar të gjitha rekomandimet.

Blendi Fevziu: Fasonët, Call-Center, dhe punonjësit e qendrave tregtare kanë një shqetësim shumë të madh. Punojnë në ambiente të vogla, në distanca jashtë standardeve me njëri-tjetrin, dhe mendojnë që mund të preken. Pra mund të jenë një nga targetat kryesorë. Çfarë do të ndodhë?

Kryeministri Edi Rama: Një masë e madhe prej nesh do të preken, por kjo nuk do të thotë asgjë sepse 80% e atyre që do të preken nuk do ta marrin vesh fare që u prekën. As Italia në kushtet që është nuk i ka mbyllur aktivitetet prodhuese sepse qartësisht e thjeshtë. Nëse në këto aktivitete prodhuese do të merren masat e sigurisë, ato që janë në dukje elementare, atëherë nuk ka asnjë diferencë në raport me prekjen. Nesër edhe këto aktivitete nuk do të jenë në punë. Nga dita e hënë do të fillojnë të kryhen inspektime specifike. Ju jepet kohë të gjithë pronarëve të këtyre kompanive që të marrin këto masa. Nuk janë masa që ju kushtojnë aq sa do t’ju kushtonte mbyllja e aktivitetit që nuk do të ishte e llogaritshme në raport me këto masa. Janë masa që do t’i marrin për veten e tyre, për familjen e tyre, për punonjësit e tyre dhe për të gjithë familjet e punonjësve të tyre.  /tvklan.al