Goxhaj: Janë shtuar tre stacione për të përballuar situatën gjatë verës

Stina e verës është periudha ku reparti i shërbimit zjarrfikës kalon në gatishmëri të përforcuar për të patur nën kontroll rastet e zjarrit që mund të regjistrohen. Drejtori i Zjarrfikësve në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, thotë për Klan News se vëmendje të shtuar do të kenë pyjet dhe kullotat në periferi të kryeqytetit.

“Shërbimi Zjarrfikës kalon në gatishmëri, jemi shumë të përqendruar për t’i përballuar këto situata në mënyrë që mos të kemi humbje të jetëve njerëzore dhe të mos kemi dëmtime në prona dhe në banesa të qytetarëve. Që t’i përballojmë këto situata, duhet bashkëpunim me drejtoritë dhe institucionet e tjera”, është shprehur Goxhaj.

Goxha thotë se krahas shtatë stacioneve të vendosura në zona të ndryshme, gjatë verës u shtohen dhe 3 të tjerë që do jenë në lëvizje në disa zona.

“Njëra do jetë në hyrjen e parkut të Dajtit, një skuadër do jetë në zonën e Farkës dhe Petrelës, ndërsa një skuadër tjetër do jetë në zonën e Pezës”, është shprehur ai.

Për të parandaluar rastet e zjarreve, forcat zjarrfikëse u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin djegien e mbeturinave bujqësore, në të kundërt to përballen me ligjin.

“Mundohen të eleminojnë mbeturinat bujqësore me zjarr, gjë që duhet të jetë rreptësisht e ndaluar, gjë që është e dënueshme dhe ne do mundohemi që për çdo rast të shfaqjes së zjarrit, vemë para përgjegjësisë ata qytetarë na i shkaktojnë”, ka shtuar ndër të tjera Goxhaj.

Ndryshe nga vitet e shkuara, plani i zjarrfikësve për përballimin e situatës së zjarreve, nuk do jetë deri në fund të Gushtit, por deri në fund të Shtatorit.

Klan News