Administratorët dhe 7 punonjës bindin të huajt të investonin në bursën fiktive Forex

Një tjetër skemë mashtrimi përmes bursave fiktive u zbulua nga policia e Tiranës. Në pranga kanë rënë 2 administratorët e një Call Centeri në Tiranë, ndërsa janë vënë në hetim 7 operatorët. Të arrestuarit nga seksioni për hetimin e krimeve ekonomike dhe financiare, janë Saimir Blini, 33 vjeç, dhe Martin Baçi, 25 vjeç.

Ata të dy kishin në administrim një Call Center në Rrugën e Barrikadave, në të cilin ishin të punësuar 7 operatorët. Së bashku me administratorët, telefononin shtetas të huaj, iu prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex. 9 të pandehurit rezulton se telefononin të huajt kryesisht gjatë orëve të vona të natës për të investuar shumat e konsiderueshme të parave në tregje fiktive. Biznesi i Call Center ishte kamufluar si butik.

Gjatë operacionit policor të koduar “Trading”, u sekuestruan si provë materiale, 2 njësi kompjuterike, një USB, dhe celularë.

Nisur nga rastet e shkuara, Policia është duke verifikuar edhe të ardhurat e gjeneruara nga dy administratorët. Hetime po kryhen nëse i kanë investuar në pasuri të paluajtshme apo i pastronin nëpërmjet bizneseve të tyre dhe të të afërmeve.

Klan News