Shitës abuzues u ndryshojnë kilometrat për t’i shitur më shtrenjtë

Shitja e makinave të përdorura në Shqipëri është një ndër bizneset më fitimprurëse. Por shumë qytetarë rezulton se mashtrohen duke blerë automjete të ardhura nga jashtë vendit.

Individë apo biznese të caktuara u ndryshojnë mjeteve të përdorura kilometrat e kryera, pasi i fusin ato në Shqipëri, me qëllim që t’i shesin sa më shtrenjtë.

Sa më pak kilometra të bëra ka makina, aq më shtrenjtë shitet. Në këtë mënyrë shitësit i mashtrojnë qytetarët me qëllim që të përfitojnë prej tyre. Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit thotë se ka marrë ankesa nga shumë qytetarë, se janë mashtruar në këtë mënyrë nga shitësit e makinave.

Shumë nga këto pika shitjesh të mjeteve të përdorura nuk janë të licencuara dhe operojnë tërësisht në të zezë. Vetëm online janë më shumë se 90 faqe të ndryshme që reklamojnë shitjen e makinave luksoze të ardhura nga Gjermani, Kanadaja, Itali apo vende të tjera.

Ky mashtrim përbën vepër penale dhe dënohet me gjobë deri në 3 vjet burg. Policia e Shtetit thotë se ka pasur disa denoncime, por që më pas janë tërhequr dhe se nuk ka kryer ndonjë hetim për këtë çështje.

Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit thotë se policia dhe prokuroria duhet të ndërhyjnë për t’i ndëshkuar shitësit që kryejnë mashtrime të tilla.

Në Shqipëri nuk ekziston ende një sistem që të mundëson ta kontrollosh makinën për kilometrat që ka bërë, përpara se ta blesh atë apo që regjistron të dhënat e saj teknike, që prej hyrjes në doganë.

Për këtë arsye, qytetarët vijojnë t’i paguajnë shtrenjtë mjetet e përdorura, të mashtruar nga shitës abuzues që veprojnë lirisht edhe pse janë në kundërshtim me ligjin.

Tv Klan