Të paktën 1,260 miliardë Euro rezultojnë të zhdukura nga buxhetet e 28 vendeve të BE-së, mes viteve 2009 dhe 2016. Një shumë e barabartë me prodhimin e përgjithshëm bruto të Australisë. Ajo duhej të ishte arkëtuar nga autoritetet tatimore të vendeve europiane në formën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Vetëm në vitin 2016 shuma që nuk është mbledhur nga Thesari ishte 34.8 miliardë në Itali dhe 147.1 miliardë në të gjithë Bashkimin Europian, një shifër pak më e ulët se buxheti i BE-së. 50 miliardë Euro janë hequr çdo vit nga taksapaguesit europianë.

Duke qarkulluar mallra dhe shërbime në të gjithë kufijtë e brendshëm të Bashkimit Europian, mashtrues, kriminelë, madje edhe terroristë po marrin para nga buxhetet publike. Mashtrimi i tyre ka në thelb një skemë: të rimbursojë taksa që nuk janë paguar kurrë. Dhe arma që ata përdorin është mashtrimi me karusel mbi TVSH-në. Ndonëse këto mashtrime kanë qenë të njohura nga autoritetet tatimore euopiane që nga futja e TVSH-së në vitin 1993, nuk është ndërmarrë thuajse asnjë masë në nivel global për të zvogëluar shumën e këtyre humbjeve. Sipas institucionieve financiare europiane, paratë e vjedhura përmes këtyre mashtrimeve kanalizohen në aktivitete të krimit të organizuar dhe financimin e terrorizmit, duke shtrembëruar ekonominë dhe duke vënë në rrezik ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Për të hedhur dritë mbi këtë vjedhje të madhe, qeveria gjermane ka promovuar projektin ndërkufitar “Grand Theft Europe” (Vjedhja e madhe në Europë) dhe ka bashkërenduar një hetim ndërkombëtar mbi mashtrimin në TVSH, ku u përfshinë  35 media nga 28 vendet e BE-së.

63 gazetarë analizuan 315 mijë faqe dokumente konfidenciale duke përfshirë skedarët e hetimeve penale, përgjimet telefonike dhe email-et. Hetimet zbuluan se e gjithë vjedhja kishte në bazë skemën e krijimit të kompanive fantazëm që kryenin veprime fiktive të qarkullimit të mallrave dhe parave, e më pas përfitonin rimbursimin e TVSH-së pa patur aktivitet real. Vetëm në Itali nga Janari 2017 deri në Maj 2018, pra në 17 muaj, janë krijuar posaçërisht 3.188 kompani për evazionin e TVSH-së.

Skema është kopjuar vitet e fundit edhe në Shqipëri, ku të paktën në dy raste organet e hetimit tatimor kanë zbuluar rrjete kompanish fantazmë që bënin dhjetra miliona Euro xhiro fiktive duke përfituar rimbursimin e TVSH-së nga shteti.

Klan Plus