Sipas policisë të arrestuarit strehonin turkun që mori 2 miliardë dollarë

Dy persona janë vënë në pranga në Tiranë pasi akuzohen se kanë ndihmuar mashtruesin turk Faruk Fatih Ozer. Mediat turke bëjnë të ditur se policia e shtetit ka zhvilluar një tjetër operacion për kapjen e 27-vjeçarit që mori 2 miliardë dollarë në një banesë në kryeqytet ku dyshohej se fshihej i riu turk, por gjatë aksionit nuk u bë i mundur arrestimi i tij.

Në banesë policia gjeti vetëm 2 persona që sipas uniformave blu kishin strehuar Ozerin. Sipas shtypit turk në ndihmë të forca policore shqiptare kanë qenë edhe kolegë të tyre turq që dhanë mbështetjen e tyre gjatë operacionit. Autoritetet turke kanë dyshime që 27-vjeçari mund të jetë larguar në vende të tjera të rajonit ndaj aksione policore po zhvillohen edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë.

Gjatë këtyre ditëve edhe në Turqi janë arrestuar më shumë se 60 persona të dyshuar si të lidhur me këtë mashtrim. Mes tyre janë edhe vëllai dhe motra e Ozer ndërsa janë konfiskuar pajisjet e kompanisë Thodex.

Mashtrimi me 2 miliard dollarë në bursën e kriptomonedhave u zbulua disa ditë më parë kur rreth 391 mijë persona denoncuan rastin. Policia turke shpalli në kërkim drejtuesin e kompanisë Thodex Faruk Fatih Ozer por ky i fundit u largua nga vendi duke zbritur në Aeroportin e Rinasit në 22 Prill. 27-vjeçari e kishte krijuar kompaninë Thodez në tetor të vitit 2017 dhe në bursë ku tregtoheshin kriptomonedha kishin investuar 400 mijë persona.

Klan News