Ashpërsimet e Kodit Penal për çështjet e sigurisë ushqimore dhe ato të mjedisit kanë shkaktuar debate mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të rinj që kanë hyrë në Kuvend pas spostimit të listës dhe lënies së mandateve nga PD dhe LSI.

Deputetët kërkuan që Ministria e Bujqësisë të lejojë vetëm një standard të proteinës për importin dhe prodhimin e miellit prej 12.5%, dhe jo ta ndajnë në këtë normë për prodhimin e bukës dhe 8% për ëmbëlsirat, çka lejon transportin e qetë të mallit në pikat kufitare.

“Çfarë do të bëni ju, do kapni një nga një të gjithë punonjësit në furrat e bukës dhe do t’i burgosni? Unë them hajde ta bëjmë normën të njëjtë dhe të merremi me traun në doganë, ta kapim që aty. Po na vrisni ngadalë se nuk e dimë çfraë po hamë, të paktën ta bëjmë te buka”, tha deputeti Halit Valteri.

Ish-ministri i Bujqësisë Niko Peleshi, aktualisht kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, tha se te çështja e bukës nuk duhet të ketë tolerancë, sidomos te niveli i proteinës, pasi është i vetmi parametër që kërkon ligji për prodhuesit.

“Franca ka 30 parametra, ne kemi vetëm këtë dhe duhet të jemi fanatikë të paktën te proteina. Dihet që po u rritën parametrat rritet çmimi dhe është sensitive”.

Por përfaqësuesit e bizneseve kërkuan që Kuvendi të jetë më i qartë në ndryshimet që po bën në Kodin Penal dhe të ndëshkojë veprat që bëhen me dashje dhe jo ato për shkak të neglizhencës, siç është harresa e një produkti në raft se i ka kaluar data e skadencës apo një gabim teknologjik i makinerive.

Një grup deputetësh të mazhorancës kanë kërkuar ashpërsimin e Kodit Penal për çështjet e sigurisë ushqimore duke tentuar për herë të parë në ligj vendosjen e masave penale me burg për ata që falsifikojnë, mashtrojnë e abuzojnë me konsumatorin. Ndryshimet e tjera lidhen edhe me çështje të mjedisit, mjekësisë dhe qarkullimit rrugor, por që të kalojnë në Kuvend kërkojnë 3/5 e votave, duke kërkuar bashkëpunimin edhe të deputetëve të rinj.

Tv Klan