Dy ditë pasi ishin shpallur në kërkim për mashtrim financiar në shuma të mëdha monetare, Luli Makashi dhe vajza e saj Adeila kanë hyrë në dyert e policisë së Tiranës të prangosura, rreth orës 00 e 40 minuta të së enjtes.

Sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe Interpol Roma arritën të bindnin Departamentin e Policisë Kanadeze për ndalimin dhe më pas riatdhesimin e dy të akuzuarave.

Mësohet se në momentin që nënë e bijë kanë zbritur në Aeroportin e Montrealit, ato janë ndaluar dhe iu është bërë me dije anullimi i vizave 10 – vjeçare, që kishin në pasaporta.

Nga hetimet e deritanishme janë konstatuar 150 aplikime, shumica prej të cilave për viza pune në Kanada.

Gjithashtu, ka rezultuar se Luli dhe Adeila Makashi, për sigurimin e këtyre vizave kishin lidhur kontrata me kompani dhe kolegje të ndryshme në Kanada, Amerikë, Angli dhe Australi.

51 – vjeçarja mësohet se bashkëpunonte dhe me disa avokatë të emigracionit në Shtetin e Kanadasë, ku njëri prej tyre do të shpallë kandidaturën për deputet, në zgjedhjet e ardhshme në qytetin e Montrealit.

Mësohet se nga Prokuroria dhe Policia po punohet për identifikimin dhe të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi.

Makashi ia kishte shitur kompaninë për vetëm 1 euro bashkë me borxhe dhe detyrime Klevis Rreshkës dhe më pas ishte larguar nga Shqipëria, duke zbrazur të gjitha llogaritë bankare të firmës.

Tv Klan