Vebi Brahimaj, i cili u denoncua pak ditë më parë në emisionin “Stop” në Tv Klan për mashtrimin ndaj një qytetareje është vënë në pranga. Policia e Tiranës arrestoi 55-vjeçarin me akuzat e mashtrimit dhe përvetësimit të titullit apo detyrës shtetërore.

Vebi Brahimaj i ka marrë një shumë prej 10 mijë Eurosh një gruaje. Ai ishte prezantuar si prokuror në Prokurorinë e Posaçme dhe i kishte premtuar dyfishim të parave për dy javë, pasi i duheshin për një tender të uniformave policore. Paratë iu dhanë Brahimajt rreth 1 vit më parë, në tetor të vitit të shkuar. Gruaja që denoncoi rastin, shprehet se 55-vjeçarin e kishte njohur nga rrethi shoqëror.

Megjithëse koha kalonte, ai nuk ia kthente paratë zonjës në fjalë. Madje në emisionin “Stop” u publikuan disa pamje ku ai e ngacmonte seksualisht gruan ndërsa borxhin vetëm e shtynte. E kur gruaja shkoi në ambientet e SPAK ku i dërgoi një video Vebi Brahimajt, ky i fundit e kërcënoi me jetë dhe e ofendoi.

Klan News