Në kuadër të operacionit policor të koduar “Trading” janë arrestuar në flagrancë dy persona, 33 –vjeçari S. B., dhe 25-vjeçari M. B, administratorë të një subjekti call center në Rrugën e Barrikadave, në Tiranë.

Sipas asaj që njofton policia dy të rinjtë akuzohen se mashtronin shtetas të huaj, nëpërmjet telefonit, për të investuar në bursa fiktive. Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë 7 persona të tjerë, operatorë në këtë subjekt.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 njësi kompjuterike, një USB, dhe celularë.

“Si rezultat i këtij operacion u arrestuan në flagrancë shtetasit S. B., 33 vjeç, M. B., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për 7 shtetas të tjerë.

Shtetasit S. B. dhe M. B. kishin në administrim një call center në Rrugën e Barrikadave, në të cilin ishin të punësuar 7 operatorë, të cilët, së bashku me administratorët, telefononin shtetas të huaj, iu prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex”, thuhet në njoftimin e policisë.    

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al