U kërkonin të investonin në tregjet fiktive të kriptovalutave, “arrest shtëpie” për gjashtë të tjerë

Gjykata e Gjirokastrës ka lënë në burg 2 prej 8 të arrestuarve të operacionit që u zhvillua në 8 Nëntor kundër mashtrimit kompjuterik ndaj shtetasve të huaj.

Në burg janë lënë dy administratorët Emiljano Paja dhe Alma Haruni, ndërsa gjykata ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi” për 6 të tjerët. Ata akuzohen për “Mashtrimi kompjuterik”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pastrim parash”.

Arrest në Burg

Emiljano Paja     28 vjeç

Alma Haruni       32 vjeç

Arrest Shtëpie

Eni Sula                  32 vjeç

Mario Sota             29 vjeç

Erjon Hoxha            23 vjeç

Saimir Brakaj           35 vjeç

Fjoralba Hoxha       27 vjeç

Erjona Murrizi          26 vjeç

Hetimet nisën nga prokuroria e Gjirokastrës, e cila duke përdorur metoda proaktive, në bashkëpunim me sektorin e hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare identifikoi dy ambiente, të cilat ishin përshtatur si “Call Center”, në qytetin e Tiranës, në të cilat ushtrohej aktiviteti i mashtrimit të shtetasve të huaj, nga disa kontinente të ndryshme. Ata u kërkonin këtyre shtetasve të investonin në tregje fiktive të kriptovalutave dhe më pas përvetësonin shumat të konsiderueshme të parave në monedha të huaja.

Puna kryhej zakonisht gjatë orëve të natës. 8 personat u arrestuan më 8 Nëntor, në mjediset ku zhvillohej aktiviteti i mashtrimit brenda të cilit u gjendën 75 punonjës të paregjistruar në organet tatimore.

Po ashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 servera me të dhëna, 2 pajisje “DVR”, 75 pajisje kompjuterike të llojit laptopë, 25 pajisje kompjuterike të llojit PC, 35 aparate celulare, disa blloqe shënimesh me emrat e personave të mashtruar dhe shumave të përvetësuara, një shumë parash prej 13 500 Eurosh dhe një makinë luksoze e viteve të fundit, e cila dyshohet se është produkt i pastrimit të parave nga aktiviteti i mashtrimit.

Nga hetimi gjithashtu u zbulua se të ardhurat që gjeneronin nga kjo veprimtari kriminale, të arrestuarit i pastronin nëpërmjet bizneseve të tyre dhe të të afërmve.

Klan News