Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 41-vjeçar nga Kosova, i cili akuzohet për mashtrimin e qytetarëve, nëpërmjet kontratave të punës për jashtë vendit.

Hamez Bytyçi, që shfaqet në këtë foto sipas policisë u premtonte punësim kundrejt një pagese që varionte nga 1000 deri në 1500 Euro.

Gjatë muajit Prill seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare ka arritur të dokumentojë 3 raste të mashtrimit të qytetarëve, megjithatë dyshohet se nuk janë të vetmet. Hamez Bytyçi, bashkëpunonte edhe me persona të tjerë për të cilët blutë po punojnë për ti identifikuar.

41-vjeçari banues në Kosovë premtonte kryesisht kontrata pune të rregullta në Gjermani, të cilat më pas nuk realizoheshin dhe paratë nuk u ktheheshin qytetarëve. Për të kryer këtë aktivitet ai administronte një agjenci ndërmjetësimi për punësim, me seli në Rinas.

Sipas burimeve të policisë, pasi bëhej pagesa agjencia shtynte takimet e qytetarëve në ambasadë, takime që në të vërtetë nuk ishin planifikuar. Agjencia e tij “Viza Travel Agency” u hap në Shqipëri në vitin 2021, ndërsa më herët ka operuar në kosovë me emrin “punësohu.eu”. Edhe atje ka patur denoncime të shumta nga shqiptarët e Kosovës, për mashtrim me vizat e punës.

Një rast mashtrimi nga ana e 41-vjeçarit nga Kosova është trajtuar edhe në emisionin “Stop” në Tv Klan, ku një qytetar ka denoncuar agjencinë që ai administron, se i ka marrë shumën 700 Euro.

Klan News