Në burg do të qëndrojnë dispeçerët e linjave urbane

Gjykata ka liruar 6 nga 8 të arrestuarit për skemën e mashtrimit me biletat e autobusave urbanë në Tiranë.

Në burg do të qëndrojnë Lulzim Allaraj dhe Aldi Duka, dispeçer të linjave. Në arrest shtëpie u lanë Ferdinand dhe Anastas Ibrahimi babë e bir, Klodian Qato dhe Fatos Vrapi do të qëndrojnë në arrest shtëpie deri në fund të hetimeve, ndërsa për Erisa Vora dhe Albana Vrapi u caktua masa detyrim paraqitje.

Mbi ta rëndon akuza e falsifikimit të letrave me vlerë dhë shmangia e tatimeve në vlerën e disa milionë Lekëve. Ferdinand Ibrahimi, administrator i kompanisë “Ferlut” që zotëron linjën e Unazës, i tha gjykatës se biletat e gjetura janë të vjetra dhe nuk ishin për përdorim. Të njëjtën skemë kanë përdorur të paktën edhe dy linja të tjera në kryeqytet, ajo e Porcelanit dhe Unazës së Re.

Edhe drejtues të këtyre dy kompanive kanë mohuar akuzën. Prokuroria ka prova që këta persona nuk i kanë printuar bileta për transportin në shtypshkronjën e letrave me vlerë. Në këtë mënyrë ata kanë shmangur çdo lloj detyrimi tatimor për të paktën 150 mijë bileta që janë sekuestruar, duke siguruar fitime të shumta.

Nuk është qartë se përsa kohë ka zgjatur kjo skemë nga këto kompani. Hetuesit dyshojnë se pjesë skemës së mashtrimit mund të jenë edhe kompani të tjera, veprimet e të cilave janë duke u verifikuar.

Tv Klan