Gjykata e Durrësit vendos masën “arrest shtëpie” për 2 të ndaluarit e tjerë

Mbeten në burg dy nga të arrestuarit gjatë operacionit SKEMA në Durrës të cilët akuzohen për mashtrim me skemën e TVSH-së. Togat e zeza në qytetin bregdetar vendosën masën arrest shtëpie për 2 punonjës të tjerë të tatimeve ndërsa për një nga të arrestuarit u caktua masa detyrim paraqitje. Sipas autoriteteve këta persona kishin krijuar shoqërim fiktive me qëllim mospagimin e detyrimeve tatimore dhe kryenin punime në fushën e ndërtimit pa deklaruar në organet tatimore. 

Sipas policisë me këtë skemë mashtrimi, të arrestuarit kanë shkaktuar një dëm ekonomik që kap vlerën e rreth 6 milionë eurove. Po ashtu është vendosur sekuestro preventive për disa prona, vlera e të cilave arrin në 2 milionë euro. Gjatë kontrollit në banesën e një prej të prangosurve është sekuestruar edhe një kasë fiskale  që dyshohet se është përdorur për prodhimin e faturave fiktive.

Klan News