Mashtruan në Facebook duke përfituar mijëra Euro, arrestohen 9 persona



Mashtruan në Facebook duke përfituar mijëra Euro, arrestohen 9 persona

12:08 07/07/2020

Një operacion i sektorit për hetimin kompjuterik i Policisë së Shtetit dhe të Tiranës i koduar “Transferta”, ka vënë në pranga 9 persona të akuzuar për mashtrime kompjuterike duke përfituar mijëra Euro.

Të arrestuarit janë E. A., 29 vjeç, I. Q., 27 vjeç, A. M., 48 vjeç, A. T., 28 vjeçe, N. Sh., 21 vjeç, E. H., 33 vjeçe, A. Sh., 21 vjeç, A. A., 38 vjeç, të gjithë banues në Tiranë dhe për shtetasin E. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrim kompjuterik” dhe “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”.

Ndaj tyre është vendosur masë sigurie arrest në burg në mungesë, ndërsa sot u finalizua aksioni për arrestimin e tyre. Ndërsa në kërkim vijon të jetë E.K. 21 vjeç, ndaj të cilit është vendosur arrest në burg.

Nga hetimet 1-vjeçare ka rezultuar se të gjithë këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ndërhyrë në llogari të ndryshme të rrjetit social Facebook, duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive. Me anë të mashtrimit, kanë kërkuar shuma të ndryshme monetare dhe si rezultat kanë përfituar shumën 38.000 Euro.

10 celularë dhe 10 karta sim, 3 pajisje elektronike, si dhe mandatet e pagesave u sekuestruan nga policia. Ndërkohë vijon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm. /tvklan.al




Të ngjashme