Gjithsej numërohen 1300 të prekur nga COVID-19

Gjatë 24 orëve të fundit, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 41 raste të reja me COVID-19. Me këtë, numri i përgjithshëm i pacientëve të diagnostikuar me COVID-19 shkon në 1300.

Autoritetet shëndetësore potencojnë se numri i pacientëve të shëruar është në rritje. Ndërkohë, me dekret qeveritar prej sot hyri në fuqi mbajtja e detyrueshme e maskave mbrojtëse në tërë territorin e vendit.

Deri më 30 Prill, në rast të shkeljes së dispozitave të dekretit, do të lëshohen vetëm paralajmërime, ndërsa më pas do të vendoset gjobë në vlerë prej 20 Euro për secilin person fizik dhe 2,000 Euro për secilin person juridik.

Me iniciativë të LSDM-së, 35 deputetë të koalicionit qeverisës, grupit të pavarur të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Besës, ASH-së dhe PDSH-së kanë firmosur kërkesën për thirrje të një seance urgjente parlamentare dhe të njëjtën e kanë dorëzuar në Kuvend.

Kërkohet seancë plenare me dy pika të rendit të ditës, me të cilat do të konfirmohet shpallja e situatës së jashtëzakonshme nga ana e Presidentit Pendarovski. Iniciatorët shprehen të bindur se pikërisht situata e jashtëzakonshme mundëson rikthimin e Kuvendit.

Tani fjalën e ka Kryeparlamentari Talat Xhaferi nëse do të thërrasë seancë parlamentare që do të mbahej përkundër vendimit për shpërndarje që u miratua më 16 Shkurt.

Klan Macedonia