Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Grabisin makinat, por qëllohen për vdekje nga policia. Ora e parë e ditës së sotme ka përjetuar një betejë të vërtetë mes forcave speciale të Pukës dhe një grup grabitësish makinash. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Qafa e Malit, në rrugën nacionale drejt Kukësit.

Një grup grabitësish të armatosur dhe me maska, kishin ndaluar dhe më pas grabitur me forcë pasagjerët e disa makinave që shkonin drejt Kukësit. Lajmi më pas ka mbërritur në policinë e Pukës, nga ku është nisur grupi i gatshëm, që me të mbërritur në vendngjarje, rreth orës 1 të mëngjesit është pritur me breshëri të armëve të grabitësve. Menjëherë është hapur zjarr dhe nga forcat e policisë.

Pas një shkëmbimi zjarri ka mbetur i vrarë në vend Xhevdet Madoni, nga fshati Babinë i Tropojës dhe është plagosur rëndë 25-vjeçari Rakip Dega nga Cërrnica e Tropojës, që të dy anëtarë të bandës së grabitësve. Sipas njoftimit të Ministrisë së Rendit, nga forcat e policisë nuk ka asnjë dëmtim./tvklan.al

Gazetar – Eduart Frangaj