MASR: Mësimi te “Emin Duraku” vijon normalisht, mësuesit e infektuar u zëvendësuan



MASR: Mësimi te “Emin Duraku” vijon normalisht, mësuesit e infektuar u zëvendësuan

11:49 19/10/2020

Disa mësues të shkollës 9-vjeçare “Emin Duraku” në Tiranë kanë rezultuar pozitivë me Covid-19. Në një reagim për mediat, Ministria e Arsimit thotë se këto infektime dhe karantimini i disa mësuesve të tjerë, kanë bërë që të merren masat duke i zëvendësuar ata me mësues të tjerë. Ministria sqaron se pavarësisht situatës së krijuar, mësimi në këtë shkollë vijon normalisht.

“Në lidhje me shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku” në kryeqytet, dëshirojmë t’ju informojmë se mësimi në këtë shkollë po vijon normalisht. Për shkak se disa mësues kanë rezultuar me COVID-19 dhe disa të tjerë janë karantinuar, nga ana e DPAP dhe zyrës arsimore vendore Tiranë janë marrë masat e menjëhershme për zëvendësimin e tyre në mënyrë që mësimi të vijojë pa ndërprerje. Njëkohësisht, është shtuar edhe numri i psikologëve për të qenë sa më pranë nxënësve e mësuesve me shërbimin psiko-social.

Në njoftim thuhet më tej se procesi i dezinfektimit në këtë shkollë është kryer 3 herë gjatë gjithë javës së shkuar, më i fundit ditën e djeshme.

“Duam të sigurojmë prindërit e të gjithë opinionin publik se ne po punojmë intensivisht që jo vetëm në këtë shkollë, por në të gjithë vendin, ambientet e shkollave tona të jenë të sigurta, me higjienizim të vazhdueshëm, me masa që respektohen e me nivel të lartë ndërgjegjësimi nga ana e nxënësve, mësuesve dhe gjithë stafit të shkollave”, shprehet Ministria në deklaratën e shpërndarë për mediat./tvklan.al




Të ngjashme