Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas e thotë me bindje se bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të nisin brenda këtij viti.

Në përfundim të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve që janë pjesë e Procesit të Berlinit, ku bën pjesë edhe Shqipëria, Maas sqaroi se procesi është vonuar edhe për shkak të mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes. Sipas tij, Presidenca portugeze e unionit bëri përparime të mëdha në zgjidhjen e këtyre problemeve.

Nëse bisedimet nuk hapen brenda pak javëve që kanë mbetur nga 6-mujori i Presidencës së Portugalisë, Maas garanton se ato do të nisin gjatë kryesimit slloven të unionit, brenda 6-mujorin e dytë të këtij viti.

“Jemi në një dialog të ngushtë bashkë me dy vendet dhe Komisionin që me çdo kusht gjatë Presidencës sllovene të gjysmës së dytë të këtij viti të mbahet Konferenca e Parë e Anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Maas pranoi se ky proces po zgjat më shumë se ç’donin palët. Sipas tij, nisja e bisedimeve është jo vetëm në interes të Tiranës dhe Shkupit por edhe të gjithë Bashkimit Europian. Gjermania edhe më herët ka qenë promotore e nisjes së bisedimeve të antarësimit me dy vendet, duke njohur përparimin e bërë në përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave.

Tv Klan