Matësit e karburanteve me koncesion

Matësit e karburanteve me koncesion

20:29 20/06/2018

Kontrolli periodik i instrumenteve që masin sasinë e naftës, benzinës ose gazit në pompat e karburanteve është një tjetër shërbim që do të jepet me koncesion. Deri më tani, ky shërbim kryhej nga Drejtoria e Meterologjisë, përmes një tarife që u vendosej subjekteve që tregtojnë naftë dhe gaz në varësi të llojit të shërbimit.

Këtë të mërkurë, me propozim të Ministrisë së Financave, qeveria vendosi që edhe në sektor të operohet sipas formës së Partneritet Publik Privat. Oferta e pa kërkuar është bërë nga kompania “Noa Control”, sh.p.k.

Në pikën 2 të vendimit specifikohet se kësaj shoqërie, e cila ka bërë ofertën e pa kërkuar i miratohet bonusi prej 10 (dhjetë) përqind të pikëve, për rezultatin tekniko-financiar në procedurën konkurruese.

Kjo do të thotë se kompania Noa hyn në garë me 10% të pikëve plus. Pas dhënies së bonusit pritet të hapet gara dhe do të përzgjidhet fituesi. Kohëzgjatja e këtij projekti do të jetë 20 vjet, nga data e nënshkrimit të kontratës me koncesionarin, sipas ligjit të Partneritetit Publik Privat.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT