Konflikti për furnizimin me ndihma humanitare të Venezuelës po ashpërsohet. Mijëra vullnetarë duan të sjellin ndihmat në vend. Kreu i opozitës, Juan Guaido bëri të ditur, se ndihmat e para ndërkohë kanë hyrë në vend.

Sipas presidentit të vetëshpallur, Juan Guaido ka hyrë ndërkohë në Venezuelë furnizimi i parë me ndihma humanitare nga jashtë. Një furnizim ka ardhur nga Brazili në Venezuelë, bëri të ditur Guaido të shtunën në mbrëmje në twitter. „Ky është sukses i madh, Venezuela”, shkroi Guaido, i njohur ndërkohë si president nga më shumë se 50 shtete. Shumica e ndihmave humanitare qëndrojnë në kufi me Kolumbinë, në qytetin Cucuta. Aty ndodhen edhe rreth 600 tonë ushqime dhe ilaçe nga SHBA. Mijëra vullnetarë dhe përkrahës të presidentit të vetëshpallur, Juan Guaido kanë shkuar të marrin ndihmat humanitare. Kreu i opozitës, Juan Guaido kishte njoftuar më parë, se do të merrte ndihmat humanitare brenda vendit bashke me vullnetarët. Për shkak se presidenti Maduro ka mbyllur kufirin me Kolumbinë dhe Brazilin, vëzhguesit i tremben një gjakderdhjeje të madhe, nëse ushtarët do të përpiqen të ndalin njerëzit me dhunë.

SHBA paralajmëron Maduron

Në Urena, një zonë kufitare me Kolumbinë ka pasur trazira. Ushtria venezuelane ka përdorur ndërkohë gazin lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë një demonstratë në kufi.. „Ne duam të punojmë” dëgjoheshin thirrjet e masës së mbledhur përballë gardës kombëtare. Dy civilë ndërruan jetë, sipas një deputeti venezuelan, kur në San Francisco de Yuruani donin të sillnin ndihmat brenda kufirit, dhe aty u qëlluan nga ushtarët. Dëshmitarët njoftojnë, se kanë parë tanke nga ana venezuelane që kanë shkatërruar barrierat e vëna, me të cilat bllokohet ura Simon Bolivar, që lidh Venezuelën me Kolumbinë.

Qeveria amerikane ndërkohë ka paralajmëruar, presidentin Maduro, nga përdorimi i dhunës. „Bota po shikon”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë të publikuar të premten. Pas njoftimit për humbjen e jetës së dy civilëve, këshilltari i presidentit amerikan për sigurinë, John Bolton shkroi në twitter se autorët do të dalin para drejtësisë. „Ushtria është për të mbrojtur civilët e jo për të qëlluar mbi ta.”/DW