Presidenti italian Sergio Mattarella nuk do ta mandatojë para të mërkurës qeverinë e re euroskeptike. Ai po shqyrton kandidaturat për ministra dhe programin qeverisës, pas shqetësimit të shprehur nga partnerët europianë.

E teksa presidenti mendohet, ministri i Jashtëm i Luksemburgut Jean Asselborn i bëri thirrje atij të mos e mandatojë qeverinë populiste, për të mos dëmtuar arritjet e deritanishme të Italisë në betejën kundër krizës financiare. Ndërsa zv/presidenti i Komisionit Europian Valdis Dombrovskis kërkoi që qeveria e re të jetë e përgjegjshme me politikat e bilancit, pasi sipas tij Italia ka borxhin e dytë më të lartë në Eurozonë pas Greqisë.

Brukseli është i shqetësuar se premtimet për ulje taksash dhe ndihmat financiare për të varfërit që do të miratojë qeveria e re, do të thellojnë defiçitin buxhetor, duke rikthyer rrezikun e një krize të re në Eurozonë. New York Times ka ngritur dyshime se kandidati për kryeministër Giuseppe Conte ka mashtruar me CV-në e tij, pasi nuk rezulton të ketë studiuar në Universitetin e Nju Jorkut, sikurse ai shkruan në CV-në e tij.

Tv Klan