Mattarella takohet me krerët e partive

Mattarella takohet me krerët e partive

23:45 22/08/2019

Di Maio kërkon koalicion të ri. Salvini: Vendi në zgjedhje

Në ditën e dytë të konsultimeve për krizën e shkaktuar nga dorëheqja e kryeministrit Konte në Itali, presidenti Sergio Mattarella zhvilloi konsultime me krerët e partive parlamentare.

Kreu i 5 Yjeve, Luigi di Maio që kryeson formacionin më të madh politik në parlament, ia bëri të qartë Presidentit se nuk mbështet zgjedhje e reja por kërkon bisedime për formimin e një shumice të qëndrueshme qeverisëse. Prioritet sipas tij është shmangia e një krize ekonomike si ajo e vitit 2008, që po rrezikon gjithnjë e më shumë financat italiane.

Ai është i gatshëm për bisedime, veçanërisht me demokratët, përfaqësuesi i të cilëve Nikola Cingareti ka si kusht krijimin e një qeverie të kthesës, besnike ndaj Brukselit dhe reformave ekonomike të kërkuara nga Bashkimi Europian.

Ndërsa kreu i Lega Nord, Mateo Salvini, në takimin me Presidentin, kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Ai ka zbutur tonet ndaj 5 Yjeve edhe pse u bë shkak për rrëzimin e qeverisë së përbashkët. Salvini tha se pavarësisht mosmarrëveshjeve, 5 Yjet kanë punuar në interes të vendit dhe është gati të diskutojë sërish për një bashkëpunim qeveritar.

Kreu i Forca Italia-s, ish-kryeministri Silvio Berluskoni sheh si zgjidhje të vetme për të mos shkuar në zgjedhje, një qeveri të formuar nga qendra e djathtë, një shumicë natyrale sipas tij që doli nga zgjedhjet e Marsit të vitit të kaluar që megjithatë nuk mori mjaftueshëm vota për të formuar e vetme qeverinë.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT