Shtetet e Bashkuara te Amerikës bëjnë një paralajmërim të fortë për udhëheqësit e dy partive kryesore të opozitës, PD dhe LSI, se nëse do të pengojnë zgjedhjet e se dielës, rrezikojnë që partitë e tyre të futen në listën e zezë të Uashingtonit.

Paralajmërimi vjen në emër të qeverisë amerikane nga zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, dy ditë para zgjedhjeve, në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Matthew Palmer: Pengimi i zgjedhjeve mund të përbëjë bazë për t’u përjashtuar nga marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Përtej kësaj nuk mund të komentoj për situata hipotetike. Por, po; absolutisht është përgjegjësi e udhëheqësve të opozitës që, në këto rrethana, t’ua bëjnë të qartë përkrahësve të tyre se dhuna është një mjet i papranueshëm. Po ashtu duam të dëgjojmë të njëjtën gjë nga qeveria. Është një gjë që e kemi theksuar vazhdimisht. Kushdo në Shqipëri duhet ta dëgjojë qartë, nga udhëheqësit e tyre, nga ata të cilët i mbështesin dhe presin udhëzime, ta dëgjojnë nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Është diçka që unë e kam theksuar disa herë dhe po e përsëris: dhuna është e papranueshme.

Dhe për të shmangur dhunën, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, u kërkon udhëheqësve të opozitës që t’ua bëjnë të qartë pasojat përkrahësve të tyre, pasi në protestën e fundit kanë treguar që ishte e aftë t’i paraqiste shqetësimet e saj në mënyrë paqësore.

Zëri i Amerikës: A jeni i shqetësuar nga mundësia e dhunës më 30 Qershor?

Matthew Palmer: Absolutisht. Dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës t’ua bëjnë të qartë përkrahësve të tyre që më 30 Qershor të mos ketë dhunë, që askush të mos pengojë të drejtën e atyre që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje. Protestat paqësore janë pjesë e qeverisjes demokratike. Kjo është shumë normale. Ne e pamë më 21 Qershor se opozita është plotësisht e aftë të paraqesë argumentet e veta në mënyrë paqësore, në një mënyrë që përputhet me praktikat demokratike. Ne duam të shohim që edhe në 30 Qershor ngjarjet të zhvillohen pa dhunë. Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës t’ua bëjnë këtë të qartë përkrahësve të tyre.

Por a do të jenë zgjedhjet legjitime pa pjesëmarrjen e opozitës? Zoti Palmer thotë se bojkoti i opozitës nuk i bën ato të pavlefshme.

Matthew Palmer: Është një situatë më pak se ideale, që zgjedhjet vendore të zhvillohen pa pjesëmarrjen e opozitës, por kjo nuk do të thotë që zgjedhjet në vetvete nuk janë të vlefshme. Njerëzit do të kenë mundësi të dalin për të votuar, për të shprehur mendimin e tyre, askush nuk duhet t’i pengojë për këtë. Njerëzit që duan të marrin pjesë, që duan të votojnë, duhet të jenë të lirë ta bëjnë këtë. Të zgjedhurit duhet të lejohen të fillojnë detyrën dhe të qeverisin. Ne do të kemi njerëzit tanë në terren, në kuadër të misionit vëzhgues të ODIHR-it, por edhe në mënyrë të pavarur, me ekipe vëzhguesish të ambasadës, për të parë se si do të shkojnë gjerat. Ne shpresojmë që më 30 qershor gjithçka të jetë sa më qetë e paqësore.

I pyetur rreth debatit për dekretin e Presidentit Meta dhe për kritikat e tij ndaj komunitetit ndërkombëtar, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit thotë se çështja nëse zgjedhjet duhet të përsëriten apo jo nuk u takon politikaneve të veçante, por Gjykatës Kushtetuese.

Matthew Palmer: Në kushte ideale ne do të kishim dashur që në zgjedhje të merrnin pjesë si partitë e opozitës, ashtu edhe të qeverisë. Këtë ua bëmë të qartë me forcë udhëheqësve të opozitës, përpara se ata të vendosnin të bojkotonin zgjedhjet. Është për të ardhur keq që vendosën ndryshe. Por kjo nuk do të thotë që zgjedhjet nuk duhen zhvilluar. Pas zgjedhjeve, do të ketë mundësi që të krijohet Gjykata Kushtetuese, është plotësisht e mundur që Gjykata të vendosë që zgjedhjet duhen përsëritur, por kjo i takon Gjykatës ta vendosë dhe jo politikanëve të veçantë.

Shtetet e Bashkuara, thotë zoti Palmer, presin që pas 1 Korrikut qeveria dhe opozita duhet të ulen për reformën zgjedhore dhe të rikonfirmojnë qëndrimet e tyre për reformën në drejtësi.

Matthew Palmer: Janë disa gjëra që ne shpresojmë të ndodhin pas 1 korrikut. E para është dialogu mes qeverisë dhe udhëheqësve të partive të opozitës për reformën elektorale. Ka një projekt të reformës elektorale që është në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it, dhe ne duam të shohim marrëveshje për procesin e ardhshëm të reformës elektorale, që të krijonte kushtet që zgjedhjet në të ardhmen të zhvillohen duke gëzuar mbështetje nga të gjithë, në mënyrë transparente dhe me llogaridhënie. Duam që gjithë partitë të ripohojnë mbështetjen për reformën në drejtësi, që është thelbësore për aspiratat evropiane të Shqipërisë; duam të shohim formimin e institucioneve të Shqipërisë, si Gjykata Kushtetuese, që do të lejonin një funksionim të qetë të proceseve demokratike të Shqipërisë.

Përsa u përket përgjimeve të publikuara nga gazeta gjermane Bild, zoti Palmer i quan ato akuza serioze dhe kërkon hetime serioze.

Matthew Palmer: Këto janë akuza serioze që duhet të hetohen. Ne do të mbështesim një hetim nga institucionet dhe autoritetet shqiptare, një hetim që është profesional, transparent, që të çon drejt një përfundimi. Këto janë akuza shumë serioze, që kërkojnë hetime serioze.

Ndërsa për akuzat se qeveria është përfshire në disa skandale dhe i pyetur nëse kryeministri mban përgjegjësi për këto, ai dha këtë përgjigje.

Matthew Palmer: Ka përgjegjësi të shumta, për të gjithë politikanët që të pranojnë pjesën e tyre. Por ajo për të cilën jemi të interesuar ne, është rruga drejt të ardhmes së Shqipërisë. Mosmarrëveshjet politike duhet të zgjidhen jo nga aktorët ndërkombëtarë, apo nga forca të jashtme që shkojnë atje për të zgjidhur mosmarrëveshjet apo luajtur rolin e arbitrit. Ato duhet të zgjidhen nga institucionet e Shqipërisë.

Për Shtetet e Bashkuara te Amerikës, thotë zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, data e zgjedhjeve lokale në Shqipëri është 30 Qershori dhe çdo mosmarrëveshje tjetër mund të zgjidhet vetëm përmes Gjykatës Kushtetuese.

Tv Klan