“Pyetjet me zhvillim, matin më mirë dijet e nxënësve” 

Provimet e maturës këtë vit do të rikthehen në strukturën e mëparshme, dhe jo si vitin e kaluar që ishin vetëm me alternativa. Drejtorja e qendrës së shërbimeve arsimore Rezana Vrapi jep detajet për hartimin e testiti.

 “I rikthyem skenarët me pyetje me zhvillim dhe me alternativë, sepse ne gjykojmë se disa nga aftësitë mund të maten vetëm me antë pyetjeve të hapura”

Vrapi saktëson se në përgatitjet e testeve do të merren parasysh kushtet si po zhvillohet mësimi dhe reduktimi i orëve nga situata e krijuar nga pandemia po ashtu dhe fakti që 250 gjimnaze në 10 bashki po vijojnë me mësimin online.

“Do të shmangim të gjitha ato aftësi apo njohuri që nxënësit i kanë marrë në një kohë të shkurtër, të vitit të dytë apo të tretë të gjimnazit”

E pyetur për shkallën e vështirësisë së testit ajo tha se “40% do të jetë  niveli i parë, 40% niveli i dytë dhe 20% niveli i tretë. Pjesën më të madhe testi është niveli mesatar sepse janë rreth 80% e pyetjeve të testit në nivelin e parë ose të dytë.”

Qendra e Shërbimeve Arsimore çdo vit përgatit një raport në lidhje me rezultatet e maturës dhe fiktivitetin e notës që ata marrin gjatë viteve të gjimnazit.

“Ka një lloj hendeku midis notave vjetore dhe notave të maturës shtetërore, për shkak të formatit të testit të maturës. Kjo diferencë është shumë më pak e theksuar në arsimin publik krahasuar me arsimin privat. Qëndrueshmëria në qytet është më e lartë se sa në fshat,”tha ajo.

Mijëra maturantë në mbarë vendin, provimet do ti zhvillojnë në dy javët e para të muajit Qershor, duke nisur nga data 3 deri më 15 Qershor.

Klan News