MAS: Do rishohim nivelin e vështirësisë të testit

Maturantët në disa rrethe të vendit kanë dalë në protestë kundër testit të matematikës. Në kryeqytet maturantët kanë bllokuar rrugën e Durrësit, përpara ministrisë së Arsimit. Ata pretendojnë se testi ishte i një shkalle të lartë vështirësie dhe me pyetje jashtë programit.

Pretendimet e maturanteve u hodhën poshtë nga Qendra e Shërbimeve Arsimore.

“Nuk ka asnjë pyetje jashtë programit, testi është hartuar në përputhshmëri të plotë me modelin e Maturës 2021”.

Por ministrja e Arsimit, Evis kushi, ka sqaruar se ekspertët po vlerësojnë edhe një herë nivelin e vështirësisë.

“Në këto momente, jemi duke vlerësuar edhe një herë me grupet e ekspertëve nivelin e vështirësisë së çdo pyetjeje në testin e matematikës. Dhe në rast se na rezulton që ai e tejkalon nivelin e parashikuar, të cilin e kushtëzon mënyra e zhvillimit të mësimit gjatë këtij viti shkollor, pa dyshim që ne do ta rishikojmë shpërndarjen e pikëve në test dhe mënyrën e vlerësimit”.

Protestat e maturantëve u mbyllen rreth mesditës, por ata paralajmëruan së nëse nuk do të ketë zgjidhje do të rikthehen sërish.

Tv Klan