Politikanët britanikë janë nën ethet e gjetjes së një zgjidhjeje të shpejtë për çështjen Brexit, teksa mbeten edhe 70 ditë kohë për të shmangur daljen katastrofike pa marrëveshje nga Bashkimi Europian.

Kryeministrja britanike, Theresa May u ka bërë thirrje partive parlamentare për bisedime për hartimin e një marrëveshje të re me Brukselin. Shumica e përfaqësuesve në Dhomën e Ulët nuk e mbështetën marrëveshjen e mëhershme. Megjithatë May mori votëbesimin për të vazhduar përpjekjet për një akord të ri, që i jep Londrës një pozicion më të favorshëm në marrëdhëniet me Brukselin, pas daljes nga Bashkimi Europian.

Zërat që mbështesin një referendum të dytë, që mund ta anulojë daljen nga unioni, po forcohen gjithnjë e më shumë. Deri më tani, 4 parti parlamentare kanë nënshkruar një peticion ku i bëhet thirrje Kryeministres të mbështesë një referendum të dytë për Brexit-in dhe të anulojë nenin 50, për të penguar vazhdimin e mëtejshëm të procesit të shkëputjes.

Peticionin e kanë nënshkruar nacionalistët skocezë, deputetët uellsianë, liberaldemokratët dhe të gjelbrit. Këto ia kanë vënë edhe si kushte Kryeministres për pjesëmarrjen në bisedime.

Të lëkundur janë edhe laburistët, të cilët zyrtarisht mbështesin një marrëveshje të re me Brukselin, por brenda tyre po shtohen zërat për qëndrim në Bashkimin Europian.

Tv Klan