Teksa opinioni publik në Britaninë e Madhe pret dorëheqjen e Kryeministres Theresa May pas disfatës së tretë për Brexit, shefja e qeverisë as që e çon ndërmend të dorëzohet.

BBC raporton se Kryeministrja britanike do të çojë planin e saj të shkëputjes për herë të katërt në parlament, për të tentuar sërish mbështetjen e deputetëve. Përpara se të japë dorëheqjen siç ka premtuar, Theresa May kërkon të përmbyllë marrëveshjen e arritur e Brukselin.

Mijëra mbështetës të Brexit manifestuan të premten në rrugët e Londrës. Eurodeputeti Nigel Farage, një nga promotorët e shkëputjes nga Unioni, paralajmëroi një tjetër fitore nëse referendumi përsëritet.

“Nëse na detyrojnë të luftojmë për një tjetër referendum, do t’i mundim me një rezultat më të thellë se hera e fundit. Nuk më vjen në mend një moment në histori, kur ka pasur një tradhti më të madhe ndaj votës së popullit”.

Parlamenti mblidhet sërish të hënën, ndërsa afati i ri i caktuar nga Brukseli është 12 Prilli. Një ndarje e ashpër pa marrëveshje, tashmë është gjithnjë e më e mundshme.

Tv Klan