Pasi dështoi të marrë gjatë ditës mbështetjen e parlamentit, kryeministrja Theresa May doli në një konferencë për shtyp për këtë pasdite, kryefjala e së cilës ishte interesi kombëtar.

“E kuptoj se disa nuk janë të kënaqur me këto kompromise, por kjo marrëveshje çon në fund atë për të cilën populli votoi dhe është në interesin kombëtar. Nëse nuk ecim përpara me këtë marrëveshje, askush nuk i di me siguri pasojat që do të vijnë. Do të thotë se do  të hedhim një hap drejt një pasigurie seriozisht të thellë”.

Mundësinë e një referendumi të dytë, kryeministrja e hodhi poshtë pa asnjë mëdyshje. E pyetur disa herë nga gazetarët a do të dorëhiqej nëse parlamenti rrëzon projekt-marrëveshjen e saj të largimit nga BE, May refuzoi të përgjigjet.

Më herët, ministri britanik për Brexit-in Dominik Rab dha dorëheqjen një ditë pas miratimit nga qeveria të draft-marrëveshjes për daljen nga Bashkimi Europian. Mbështetës i fortë i shkëputjes nga unioni, në një letër dërguar kryeministres Mei, Rab shpreh kundërshton ashpër rregulloren e kufirit në ishullin e Irlandës.

“Rregullat e propozuara për Irlandën e Veriut përbëjnë një kërcënim tepër real për integritetin territorial të Mbretërisë së Bashkuar”.

Rab është ministri i dytë i Brexit që dorëhiqet, pas David Davis. Kryeministrja May nuk siguron dot shumicën prej 318 votash për miratimin e saj brenda dhjetorit. Publikisht marrëveshjen e kanë mbështetur vetëm 230 deputetë prej 650-ëve të dhomës së përfaqësuesve.

Tv Klan