Për Kryeministren britanike, Theresa May, më shumë gjasa ka që procesi i shkëputjes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian të bllokohet, sesa vendi të dalë pa marrëveshje nga unioni.

“Siç kemi parë gjatë këtyre javëve, në Westminster ka disa njerëz që duan t’a shtyjnë ose ta ndalojnë Brexit-in, të cilët do të përdorin çdo mjet të mundshëm për t’a arritur këtë. Prandaj besoj se ka më shumë mundësi që deputetët ta bllokojnë Brexit-in sesa të dalim pa marrëveshje nga BE”.

May paralajmëron se Britania rrezikohet nga katastrofa, nëse nga BE dilet pa marrëveshje. Ajo u bëri thirrje 100 deputetëve rebelë brenda konservatorëve, por edhe të partive të tjera t’a mbështesin këtë marrëveshje. Ndërsa kreu i laburistëve në opozitë, Jeremy Corbin kërcënoi me mocion mosbesimi qeverinë, nëse nuk miratohet marrëveshja.

“Ne do të parashtrojmë një mocion mos besimi ndaj qeverisë. Po e diskutojmë se kur, por mos u shqetësoni do të ndodhë shumë shpejt”.

Kryeministrja britanike do t’u drejtojë deputetëve përmes një fjalimi në parlament thirrjen e fundit për të mbështetur marrëveshjen mes Londrës dhe Brukselit, përpara votimit të së martës në dhomën e ulët.

Tv Klan