Mazhoranca kundër dekretit të Metës për Gjendjen Civile

Mazhoranca kundër dekretit të Metës për Gjendjen Civile

14:00 18/11/2020

Presidenca: Përmbushi qëllimin politik të Rilindjes

Një tjetër ligj i kthyer për rishqyrtim nga Presidenti Meta nuk ka gjetur mbështetjen e mazhorancës. Komisioni i Ligjeve rrëzoi me 14 vota kundër dekretin e Metës që riktheu në Kuvend ligjin për gjendjen civile.

Ky vendim solli reagimin e menjëhershëm të zëdhënësit të Presidentit Meta, Tedi Blushi, sipas të cili, Komisioni i Ligjeve ka përmbushur qëllimin politik të qeverisë për deformimin e listave të zgjedhësve.

“Komisioni i Ligjeve ka kohë, që shfaq shenja të humbjes së qetësisë dhe durimit, ndërsa sot nën presionin politik, humbi dhe grimcat e fundit të etikës dhe profesionalizmit, që duhet të tregojë, kur me votat e tij cakton ligjet e këtij vendi. U duk qartë që Komisioni i Ligjeve nuk donte të humbiste asnjë minutë kohë për të përmbushur qëllimin politik të Rilindjes për deformimin e listave të zgjedhësve dhe shtrembërimin e votës së lirë”, thotë Blushi.

Zëdhënësi i Presidencës thotë se përmes dekretit Meta i rekomandoi Kuvendit të falte të gjitha gjobat e gjeneruara nga mosdeklarimi në kohë i vendbanimit të ndryshuar, duke ruajtur njëkohësisht qëndrueshmërinë e ligjit dhe detyrimin e qytetarëve për të deklaruar çdo ndryshim në kohë.

“Por ky rekomandim, i njëjtë me zgjidhje të ngjashme që vetë Qeveria dhe Kuvendi kanë ndërmarrë në fusha të tjera, u hodh poshtë, dhe Komisioni për Çështjet Ligjore nxitoi aq shumë, sa u hoqi të drejtën e fjalës përfaqësuesve të Presidentit të Republikës në dhënien e argumenteve ligjore të kërkuara dhe të vëna në dyshim nga relatorja e ligjit, deputetja Vasilika Hysi. Ky është qëndrim vijues i Kuvendit njëpartiak, veçanërisht pas miratimit të njëanshëm të ndryshimeve në Kushtetutë në 30 korrik dhe Kodin Zgjedhor në 5 tetor”.

Meta i bën thirrje deputetëve të Kuvendit që e cilëson si njëpartiak që të reflektojnë në seancë plenare dhe të mos pranojnë cenimin e së drejtës së votës të qytetarëve, por të miratojnë Dekretin.

Në arsyet për kthimin e ligjit, kreu i shtetit  thoa se në këtë fazë të procesit zgjedhor ky ligj do të krijonte kaos për procesin zgjedhor dhe do shkaktonte pasoja politike.

“Një ndryshim i tillë, ka potencialin për të krijuar kaos në hartimin e listave të zgjedhësve, në procesin e votimit dhe për pasojë, do të minonte edhe më shumë besueshmërinë e vet procesit zgjedhor në tërësi duke sjellë pasoja politike, nxitjen e kontestimeve administrative dhe gjyqësore dhe për pasojë, acarimin e jetës shoqërore në vend”, thuhej në arsyetimin e kthimit të ligjit nga Presidenti i Republikës./tvklan.al



Të ngjashme