Ndryshimet në qeveri të dekretuara nga Presidenti Meta morën votën e Parlamentit në një seancë të tensionuar për shkak se opozita e quajti shkelje të rregullores mungesën e një debati për ministrat e rinj.

Edmond Spaho:

Nuk kemi bërë kërkesë për mënyrën e votimit, kemi bërë kërkesë që shqyrtimi i dekreteve të bëhet me debat dhe madje e kemi paraqitur listën e forcave për çdo grup parlamentar. Mbi bazën e kësaj liste të bëhet debat. Njofto që do të zhvillohet debat për shkarkimin dhe emërimin e ministrave.

Taulant Balla:

Do doja t’i ktheja përgjigje zotit Spaho dhe zotit Vasili. Kur çohemi këtu duhet që të paktën njëri të citojë një nen. Në rregulloren e Kuvendit ka nen për emërimin dhe shkarkimin e Presidentit të Republikës, për qeverinë, për titullarët e institucioneve. Dhe në kaq vite asnjëherë nuk kemi bërë debat për emërim dhe shkarkimin e ministrave. Kjo nuk është seancë e jashtëzakonshme, por sesion i jashtëzakonshëm. Kryeministri i është drejtuar Kuvendit për sesionin e jashtëzakonshëm ku kryeministri ka kërkuar votim për emërim dhe shkarkim. Debatin kur ta doni, si ta doni, por duke zbatuar rregulloren. Bëni edhe kërkesë për mocion mosbesimin ndaj qeverisë. Ne kohë për të humbur nuk kemi, nuk ja u japim këtë dëshirë. Nëse do kishit cituar dhe një nen të vetëm, do diskutonim.

 

Fatmir Mediu:

Lexoni nenin 48 të rregullores, pika dy. Koha e përcaktuar dyfishohet kur diskutohet përbërja e këshillit të ministrave. Nuk ka asnjë nen që ndalon debatin. Debati për ndryshimin e qeverisë është debat publik dhe ju doni të ndaloni kuvendin të bëjë debat. Nuk e di çfarë ka të keqe për debat nga të dy palët.

Para se t’i hapte rrugë votimit, kryeparlamentari Ruçi tha se rregullorja nuk parashikon debat për dekretet e Presidentit, duke sjellë në vëmendje praktikën e parlamentare të 18 viteve të fundit.

Gramoz Ruçi:

Në asnjë nen nuk thuhet që dekretet e presidentit për emërime dhe shkarkime bëhen me debat. Ju kërkova shërbimeve të kuvendit precedentët parlamentarë dhe më nxorën nga viti 1999 deri 2018 janë zhvilluar 37 seanca plenare për emërime dhe shkarkime ministrash. Në 37 seanca dhe 162 dekrete emërime dhe shkarkimesh janë zhvilluar pa debate. Prandaj hap votimin për prezencën.

Kaq mjaftoi që tensioni në sallë të rritej, e më pas opozita të braktiste punimet e Parlamentit.

Jashtë Parlamentit, kreu i opozitës Basha bëri një paralajmërim të fortë në kundërpërgjigje të qëndrimit të shumicës, teksa foli për një aksion të ri opozitar që do të synojë  rrëzimin e qeverisë.

Sot ishte akti i rënies së qeverisë. Për herë të parë në 28 vite demokraci, opozita kërkon debat parlamentar për t’i parashtruuar qytetarëve shqiptarë qëndrimin e saj dhe të vërtetën tronditëse pas këtyre emërimeve të kukullave të oligarkëve dhe kriminelëve me vulën dhe firmën e Edi Ramës. Asnjë nga arsyet nuk qëndron. Opozita parashtroi kërkesë. Asnjë rregulll nuk e pengon opozitën të marrë fjalën. Opozitën e pengon të marrë fjalën një kryetar kuvendi. Sot ne kemi qeveri të vdekur, kishim qeveri në koma që nuk qeveriste. Jemi në një gjendje emergjence kombëtare”.

Pas seancës, Taulant Balla tha se mazhoranca është e gatshme për çdo debat në Parlament, mjafton që ai të kryhet në respektim të rregullores.

Nuk votuam dekretin për ministrin e Jashtëm, Gent Cakaj, ai meriton besimin tonë. Sapo Gjykata Kushtetuese të përgjigjet këtij ngërç të krijuar nga Presidentit, ai do të jetë ministër i Jashtëm, deri atëherë Kryeministri ka treguar gatishmërinë për të kontribuar. I sqarova opozitës, por edhe kryeparlamentari Ruçi kishte bërë një analizë të shkëlqyer. Praktika parlamentare kështu ka qenë, pasi behet fjalë për emërime dhe shkarkime. Unë jam i gatshme që nëse nesër opozita depoziton një kërkesë për zhvillimin e një mocioni me debat. Pro duhet bërë me rregullore. Duan interpelancë me kryeministrin? Po, ta bëjnë në bazë të rregullores. Sot duhet të miratonin edhe dekretin për ministrin e Jashtëm”.

Atë që paralajmëroi pas punimeve të Kuvendit, Lulzim Basha e përforcoi nga selia blu në krah të aleatëve të tij ku paralajmëroi nisjen e protestave.

Vendi po rrëshket drejt autoritarizmit dhe diktaturës. Edi Rama ka tani një Parlament privat për të shkatërruar interesat kombëtare. Ka ndërtuar një qeveri private për të vjedhur qytetarët, ka ndërtuar një shtet privat për të dhunuar qytetarët. Opozita është e vendosur t’i japë fund krizës politike dhe ekonomike ku është vendi. Prandaj, në përgjigje të mijëra mesazheve dhe duke dëgjuar zërin e qytetarëve ne vendosëm të udhëheqim revoltën e qytetarëve me protesta popullore deri në rrëzimin e Edi Ramës. Ky është vendimi i opozitës së bashkuar”.

Në pritje të firmës së kreut të shtetit është është vetëm ministri i ri Jashtëm, post të cilin ka kërkuar ta mbajë Kryeministri Rama, pas refuzimit të Gent Cakajt nga Presidenti. Ndonëse mazhoranca i kërkoi të reflektojë, ky i fundit është përgjigjur shkurtimisht. “Kushtetura e para”.

Tv Klan