“Në BE integrohet Shqipëria, jo partitë politike”

Për Kryenegociatorin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Zef Mazi topi për në portën e BE-së tashmë është në fushën tonë. Apeli i zotit Mazi në Mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian shkoi posaçërisht për klasën politike, të cilën e ftoi të flasë me një gjuhë, me qëllim ndezjen sa më parë të dritës jeshile për Shqipërinë.

“Të vazhdohet sjellja evropiane ne politikën e jashtme, objektivi ynë është që të bëjmë progres pa u ndal, kjo nënkupton konsensus dhe komunikim në politikën e brendshme. Në BE nuk integrohen partitë politike, por Shqipëria.  Duhet të flasim në një zë, pro avancimit të integrimit të Shqipërisë në BE.  Topi mbetet në portën tonë përderisa nuk kalon në portën e BE.”

Pavarësisht skeptikëve në panel, Kryenegociatori Mazi u shpreh besimplotë se Shqipëria i ka plotësuar kushtet e vendosura nga Brukseli, e veçanërisht reformën e drejtësisë.

“Puna e qeverisë ishte vijimi pa u ndalur i Reformën në Drejtës në procesin e integrimit evropian dhe konferencën e parë ndërqeveritare dhe ato u realizuan. Gjykata Kushtetuese është funksionale. SPAK është plotësisht funksional. Drejtori BKH u zgjodh. Zhvillimet  e mësipërme përmbushin kushtin për konferencën e pare ndërqeveritare. Progres për luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.”

Mbajtja e Konferencës së parë ndërqeveritare  tha se diktohet nga një faktor i jashtëm që nuk lidhet me përmbushjen e reformave të Shqipërisë.

“Ka dakordësi por në heshtje, s’ka marre vendim. Arsyeja e bllokimit është midis një shteti tonë fqinj dhe një vendi anëtar të unionit. Ju njoftoj se po bëhet përpjekje nga Gjermania, Portugalia e ka marrë me shumë seriozitet, uroj që kjo çështje të ketë zgjidhe sa më parë.”

Në dhjetor të vitit të kaluar Ministrat e Jashtëm të Këshillit Evropian vendosën të mos i ndezin dritën jeshile Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, duke lënë pa afat një datë për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare me Bashkimin Evropian.

Tv Klan