65% e qytetarëve shqiptarë besojnë se pas datës 23 Qershor në Shqipëri do të rikthehet jeta normale pas pandemisë së Covid-19, ndërsa 35% mendojnë të kundërtën, sipas një sondazhi të “Opinion”.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku shprehet se beson që do të ketë një realitet të ri, një botë të re, duke ndryshuar disa aspekte të jetës.

Në një lidhje direkt për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Mazniku deklaroi se ndryshimet në jetesë do të vazhdojnë edhe pas gjetjes së një kure apo zbulimit të një vaksine kundër Covid-19.

“Bota do të rikthehet pas Covid në një normalitet të ri. Për shumë gjëra, mënyra si oranizojmë pjesën sociale, shoqërinë, transportin publik, do jenë të gjitha të ristrukturuara në botën e re që do hyjmë pas Covidit. Unë mendoj që do të shkojë përtej çështjes së kurës apo vaksinës. Në psikozën globale ka hyrë procesi i ruajtjes nga një pandemi. Bota e re do të jetë shumë më e strukturuar edhe përtej momentit që do gjendet vaksina”.

I pyetur si e komenton sjelljen e qytetarëve në Tiranë pas lehtësimit të masave, Arbjan Mazniku u shpreh: “Njerëzit janë lodhur nga fakti që kaluan periudhë të gjatë të mbyllur të bllokuar. Padyshim dallohet etja e njerëzve për të lëvizur. Por besoj që qytetarët shqiptarë kanë qenë të ndërgjegjësuar. Është ulur në mënyrë drastike takimi fizik i njerëzve. Ka një sjellje të re në qytete që dallohet edhe në takime”. /tvklan.al