Ministria e Brendshme thotë se aktet e dhunës në protestën e 11 Majit ishin të organizuara sipas një plani të paracaktuar. Duke publikuar pamje të mediave të ndryshme, zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari thotë se forcat e rendit iu përgjigjën në mënyrë profesionale.

Qindra bomba molotov të prodhuara dhe shpërndara sipas një plani kriminal, janë hedhur drejtpërdrejtë, me intensitet të lartë mbi punonjësit e policisë, në krye të detyrës. Veç bombave molotov, mbi forcat e rendit janë hedhur horizontalisht bateri të tëra me fishekzjarrë të ndaluar të kalibrit të lartë, nga një distancë shumë e afërt”.  

Por Partia Demokratike i hodhi poshtë këto deklarata, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, i cili në mënyrë indirekte u ktheu përgjigje edhe reagimeve të ambasadave në Tiranë.  

“Deklaratat e Ministrisë së Brendshme se Partia Demokratike ka prodhuar dhe ka shpërndarë bomba molotov për protestën e sotme janë një sajesë e neveritshme, që synojnë përplasje, konflikt dhe frikë tek qytetarët. Është e dënueshme çdo përpjekje propagandistike e qeverisë për ta kundërvënë Partinë Demokratike me partnerët tanë, si në rastin e mbishkrimeve në banesën e ambasadorit të OSBE-së. Ne i kërkojmë prokurorisë të zbulojë kush janë autorët e këtij akti të shëmtuar dhe t’i vërë ata përpara përgjegjësisë. Partia Demokratike është e vendosur të mos bëjë asnjë hap prapa për të drejtën themelore politike të njerëzve të lirë, votën e lirë, të pandikuar nga krimi dhe korrupsioni, njësoj siç ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Britani, Francë, Gjermani, Itali dhe kudo”.

Partia Demokratike flet për një skenar të Kryeministrit Rama për të penguar opozitën të protestojë dhe të ndalë protestuesit.

Tv Klan