Dhuna seksuale në lidhje me konfliktin dhe siguria klimatike janë dy temat kryesore që po diskutohen në kuadër të edicionit të dytë i Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nën organizimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Në fjalimin e saj presidentja Vjosa Osmani i cilësoi të rëndësishëm angazhimin për të mos hequr dorë në luftën për drejtësi.

“Në këtë sfond të konflikteve, kufizimeve shoqërore dhe trazirave kulturore është e rëndësishme që t’u përgjigjemi nevojave të grave dhe vajzave për t’i fuqizuar, për t’i mbështetur dhe për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjitha gratë kudo qofshin njëherë e përgjithmonë”, tha ajo.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj tha se Ballkani Perëndimor ka qenë dëshmitar i konflikteve të përgjakshme, ndërsa gratë janë ato që kanë bartur barrën më të rëndë të konflikteve.

“Ndër ata që kanë bartur barrën më të rënd të konflikteve janë gratë. Këto konflikte na shërbejnë si një rikujtesë se sa i dhimbshëm është i çmimi dhe sa shtrenjtë është paguar”, tha Begaj.

Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc, theksoi se vëmendje më e madhe duhet t’i kushtohet pandëshkueshmërisë të krimeve seksuale.

Në këtë forum nuk mungoi as kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Synim i këtij forumi ku po marrin pjesë përfaqësues nga 40 shtete të botës është të adresojë kërcënimet historike për sigurinë e grave së bashku me sfidat e reja të sigurisë.

Tv Klan