Mes 11 marrëveshje, memorandum e planveprimi që ishin produkti i mbledhjes mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Malit të Zi, që u mbajt në Podgoricë ajo që mori dhe vëmendjen më të madhe ishte marrëveshja për ndërtimin e urës mbi lumin Buna.

Projekti është hartuar dhe financuar nga pala shqiptare, ndërsa për t’u zbatuar është rënë dakord të jetë një bashkëfinancim .

“Mendoj që do të kushtojë 20 milionë Euro dhe po të ndahet nuk mendoj se do të kushtojë shumë”, është shprehur Abazoviç.

“Për ne është jashtëzakonisht e vlefshme kjo urë. Rritet jashtëzakonisht shumë lëvizshmëria dhe ne recpirokisht fitojmë shumë”, ka thënë kryeministri Edi Rama.

Mbledhja u zhvillua një javë pas debatit nga të dy anët e kufirit për dhunimin e profesorit Petraq Milos nga një punonjës i policisë së Malit të Zi, në pikën kufitare të Muriqanit. Çështja që mori vëmendjen e të dy Kryeministrave Rama e Abazoviç.

Abazoviç: Nuk kam qejf të politizohet kjo çështje, pasi kjo nuk ka të bëjë me politikën shqiptare.

Rama: Këto janë raste që ndodhin. Po këto janë raste që mezi i presin për të ndezur flakën e nacionalizmit dhe kjo është arsyeja se pse ne na duhet shumë më tepër bashkëpunim pa kufij.

Edhe pse Mali i Zi ende nuk e ka hedhur hapin zyrtar të përfshirjen në nismën e Ballkanit të Hapur, Abazoviç nuk e ka fshehur se e mbështetet si shumë të rëndësishme për rajonin.

Ndaj ai siç lajmëron Kryeministri Rama ka deklaruar se vendi i tij do të mikpresë mbledhjen e radhës në Qershor. Rama gjithsesi kujdeset të shpjegojë për të disatën herë se kjo nismë nuk e zëvendëson Procesin e Berlinit, mbledhja e radhës e të cilit do të mbahet në Vjeshtë në Tiranë.

“Ballkani i Hapur është një rrugë e cila i bën më të lehta rrugës edhe ato situata ku vjen dita që të thonë pa kushte, pa diskutime, hajde dhe firmos se ndryshe je jashtë,” tha Kryeministri Rama.

Mbetem i qëndrimit se çdo bashkëpunim rajonal i kontribuon paqes dhe stabilitetit dhe se nga kjo nuk mund të të dhemb koka. Koka mund të dhemb nëse njëri-tjetrin e shohim si armiq“, është shprehur Abazoviç.

E ndërkohë që Rama e Abazoviç dhe dy kabinetet e tyre u mblodhën në Podgoricë, dy liderë të tjerë të Ballkanit, Kurti e Vuçiç janë ulur në Bruksel në përpjekje të arritjes së marrëveshjes bazuar mbi propozimin franko-gjerman.

Marrëveshje që të dy si Rama ashtu dhe Abazoviç deklarojnë se e mbështesin si e vetmja rrugë për të ardhmen e dy vendeve.

Rama: Më shpejt se sa vonë të jetë një çështje e të dyja vendeve dhe të mos jetë nevoja që superfuqitë t’i marrin prej veshi sa herë grinden në oborrin mbas shkollës.

Marrëveshjet e nënshkruara këtë të hënë, siç pohojnë dy Kryeministrat, janë vetëm një hap në rrugën e bashkëpunimit që ata janë të sigurtë që e ndihmon zhvillimin ekonomik të dy vendeve.

Tv Klan