Rama: Deri në fund të vitit 95 % e shërbimeve, online

Deri në fund të këtij viti 95% e shërbimeve të institucioneve shtetërore shqiptar do të jenë online dhe do të jenë pa tarifë. Deklarata është bërë nga kryeministri Edi rama në Ministerialin Dixhital të Ballkanit Perëndimor, i cili u mbajt në tiranë. Rama tha se afro 700 shërbime, qytetarët po i marrin nëpërmjet platformës e-albania.

 “Çdo qytetar mund t’i përftojë këto shërbime, duke kursyer kaq shumë kohë, kaq shumë vonesa shqetësuese e po kështu dhe një sasi të konsiderueshme parash. Nuk guxoj ta imagjinoj se çfarë do të mund të kishim bërë nëse pandemia do të na kishte goditur në një kohë tjetër, pa asnjë mundësi për t’u dhënë qytetarëve një qasje të drejtpërdrejtë online përmes platformës sonë e-albania, e cila u ka shërbyer miliona e miliona herë, sidomos gjatë karantinës së përgjithshme kur njerëzve u duheshin autorizimet e leje të të gjitha llojeve, për të vazhduar jetën e përditshme në kushtet e kufizimeve të mëdha”.

E ndërsa u ndal tek Shengeni Ballkanik, Rama tha se fokus kryesor mbetet heqja tarifave Roaming.

“Ajo çfarë ka ndodhur me ndryshimin progresiv të tarifave të Roaming dhe rregullimin e harmonizuar të tregjeve të telefonisë celulare për Roaming është një zbulim që na tregon se sa shumë, ne mund e duhet të bëjmë dhe sa do të bënim nëse nuk do të kishim problem për ta kuptuar shpejt njëri-tjetrin e për të bashkëpunuar shpejt me njëri-tjetrin”.

Sipas kreut të qeverisë, samiti dixhital kontribuon për ngushtimin e hendeqeve që ndajnë Ballkanin Perëndimor, duke të arritur standardet e BE-së.

Tv Klan