Bashkëpunimi rajonal dhe integrimi europian ishin temat e diskutimit në samitin virtual të Ballkanit Perëndimor që mbajti punimet këtë të hënë nën kujdesin e kancelares gjermane Anela Merkel. Samiti mblodhi së bashku për të tetën herë Kryetarët e Shteteve ose Qeverive nga Ballkani Perëndimor dhe homologët e tyre nga nëntë Shtete Anëtare të BE-së, përfaqësues të nivelit të lartë të BE-së, përfshi Presidenten e Komisionit, Ursula von der Leyen dhe Komisionerin për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi. Pas një takimit, kancelarja Merkel bëri të ditur se Gjermania do të ndajë tre milionë doza të vaksinave për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Bashkëpunimi për një treg të përbashkët rajonal dhe njohja e diplomave, ka shtuar Merkel, është një çështje që pritet të ndodhë shpejt. Merkel po ashtu theksoi se ekzistojnë një sërë problemesh mes Kosovës dhe Serbisë, por se një bashkëpunim mes shteteve të Ballkanit është i nevojshëm për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë që Komisioni Europian në një deklaratë zyrtare për mediat bëri të ditur se gjatë Samitit, zyrtarët e BE-së rikonfirmuan angazhimin për bashkëpunim dhe mbështetje për rajonin në rimëkëmbjen e tij pas-pandemike përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve.

Gjithashtu ata në emër të Komisionit bën thirrje për përparim të mëtejshëm në integrimin ekonomik të rajonit për të siguruar përfitimet e plota të investimeve të planifikuara.

“Prioriteti ynë i parë është të përshpejtojmë axhendën e zgjerimit në të gjithë rajonin dhe të mbështesim partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor në punën e tyre për të kryer reformat e nevojshme për të përparuar në rrugën europiane. Por angazhimi ynë me Ballkanin Perëndimor shkon përtej kësaj, dhe Procesi i Berlinit ka shërbyer si një inkubator për shumë iniciativa që tani janë bërë një pjesë integrale e politikës së BE-së ndaj rajonit”.

Ndërsa Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, theksoi se mbyllja e hendekut socio-ekonomik midis Ballkanit Perëndimor dhe BE është thelbësore për procesin e Zgjerimit.

“Ne po sjellim mundësi të konsiderueshme investimi në rajon përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve. Tani i takon rajonit t’i përdorë ato mirë duke shfrytëzuar potencialin e tij të plotë ekonomik dhe duke vendosur një Treg të Përbashkët Rajonal bazuar në rregullat e BE. Krijimi i ‘Linjave të Gjelbërta’ në pikat kufitare brenda të gjithë rajonit së pari, dhe tani pilotimi i kësaj me një Shtet Anëtar të BE-së është një ilustrim perfekt i mënyrës se si mund të funksionojë kjo. “

Samiti i Sotëm u përqendrua në përparimin e arritur nga rajoni në integrimin ekonomik nën planin e veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe në zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve të paraqitur nga Komisioni vjeshtën e kaluar.

Në njoftimin e Komisionit Europian bëhet e ditur se gjatë samitit Greqia shprehu vullnetin e saj politik për të mbështetur shtrirjen e nismës ‘Green Lanes’ në Ballkanin Perëndimor dhe angazhimin e saj për të punuar drejt zbatimit të saj në pikat e përcaktuara të kalimit kufitar midis Greqisë dhe vendeve fqinje të Ballkanit Perëndimor-Shqipëri dhe Maqedonia e Veriut.

Për zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, Komisioni njoftoi se ka ndërmend të propozojë një paketë investimi prej 500 milion € në 2021. Paketa do t’i dedikohet projekteve kryesore sipas Planit, në varësi të miratimit të kornizës së re për Instrumentin e Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA III) që pritet në muajt e ardhshëm. Samiti i Berlinit është pjesë e Procesit të Berlinit, një iniciativë e disa Shteteve Anëtare të BE, nën udhëheqjen gjermane.

Tv Klan