Është zhvilluar paraditen e sotme funerali i pjesës më të madhe të viktimave nga rrëzimi i urës Morandi në Genova, mes të cilëve ndodheshin edhe 2 shqiptarë. Bilanci ka shkuar në 41 viktima, ndërsa gjatë ceremonise nuk munguan akuzat e familjarëve për autoritetet shtetërore.

Italia është në zi kombëtare në nderim të viktimave të tragjedisë së shkaktuar nga shembja e urës së Xhenovas. Krerët më të lartë të shtetit, mes të cilëve Presidenti Matarela, Kryeministri Conte dhe dy zëvendësit e tij Mateo Salvini dhe Luigi di Maio, morën pjesë në ceremoninë mortore të 18 prej viktimave zhvilluar në sallën e madhe të panaireve të qytetit.

Mes 18 arkivolëve të mbuluar nga buqeta të mëdha me lule ishin edhe ato të dy të rinjve shqiptarë, Marjus Djerri nga Shijaku dhe Admir Bokrina nga Shkodra, të cilëve u ishte hedhur përsipër edhe flamuri shqiptar.

Ceremonitë nisën që të premten në qytezën Torre del Greko pranë Napolit. Banorët i dhanë lamtumirën e fundit 4 prej viktimave nga kjo qytezë. Babai i njërit prej tyre tha se kishte vendosur ta bojkotonte ceremoninë shtetërore të Xhenovas, që e cilësoi si një paradë politikanësh. Familjarët e viktimave thanë se tragjedia e Xhenovas ishte vrasje masive.

Ekipet e emergjencës vijojnë kërkimin në rrënojat e pjesës së shembur të urës, ku mendohet se mund të ketë ende trupa të pagjetur. Orët e fundit, bilancit të përgjithshëm iu shtuan edhe 3 të vdekur. Ekipet e emergjencës gjetën brenda një automjeti të shkatërruar, trupat e një çifti dhe vajzës së tyre 9-vjeçare.

Bilanci i viktimave arrin kështu në 41. Kryeministri Conte shpalli pak ditë më parë gjendjen e emergjencës në Xhenovan e përfshirë nga kaosi për shkak të shembjes së një arterieje të rëndësishme autostradale. Qeveria akordoi një fond prej 5 milionë Eurosh për operacionet e shpëtimit. Ndërsa aktualisht po hetohet mbi përgjegjësit e tragjedisë, ku faji i bie fillimisht koncensionarit privat të mirëmbajtjes, që akuzohet se nuk ka kryer rregullisht punimet e riparimit të urës 51-vjeçare.

Tv Klan