Në vigjilje të 110-vjetorit të Pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë dhe ai i Kosovës kanë mbajtur një seancë të përbashkët parlamentare. Mbledhja ka nisur me fjalën e mirëseardhjes të kryeparlamentares së Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe pas saj ka përshëndetur takimin edhe homologu i saj nga Kosova, Glauk Konjufcka.

Në përfundim të kësaj seance protokollare ka mbajtur fjalën Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Kryeministri shqiptar Edi Rama.

Rama: Njohja përfundimtare e Kosovës do të vijë më herët, marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Kosovës më produktive se kurrë më parë

Kuvendi i Shqipërisë dhe i Kosovës janë mbledhur ditën e sotme në një seancë të përbashkët. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama ka dhënë lajmin se në fillim të vitin 2023 do të hapet gara ndërkombëtare për Portin e Durrësit dhe në fillim të 6-mujorit të dytë të vitit të ardhshëm, do të jetë në kantjer me portin e ri të Port-Romanos që do të jetë një port i përbashkët i shtrirë nga Durrësi në Prishtinë dhe në Strugë me dy porte të thata.

Edi Rama: Në fillim të vitit 2023, ne fillojmë dhe hapim garën ndërkombëtare për Portin e ri të Durrësit i cili do të ndërtohet në Porto-Romano dhe nëse gjithçka do të shkojë sipas planit, në fillim të 6-mujorit të dytë të vitit të ardhshëm, ne do të jemi në kantier me portin e ri të PortonRomanos që do të jetë një port i përbashkët i shtrirë nga Durrësi në Prishtinë dhe në Strugë me dy porte të thata që do të lidhen me hekurudhë.

Për hekurudhën Durrës-Prishtinë, tani hyjmë në fazën e fizibilitetit për hekurudhën tjetër jemi në diskutime intensive me Komisionin Europian në bashkëpunim me qeverinë e RMV. Këto janë fakte dhe në 12 Dhjetor shpresoj që Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ministrat e fushave të na bashkohen në prezantimin e madh publik përfundimtar. Në 12 Dhjetor do të prezantojmë përfundimisht projektin përfundimtar, i cili do t’i nënshtrohet garës ndërkombëtare në fillim të vitit të ardhshëm dhe do të fillojë nga puna në fillim të 6-mujorit të 2 të 2023. Sot është një ditë frymëzuese edhe për këtë pamje, e cila i ka mbledhur të gjithë bashkë pavarësisht nëse do të donin apo nuk do të donin ta pranonin njëri-tjetrin. Pa të cilët nuk mund të kuptohet as ardhja në këtë ditë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe UÇK dhe të dyja këto lidhen me Ibrahim Rugovën dhe Hashim Thaçin, një tjetër i munguar në këtë sallë që është i ndarë përkohësisht prej nesh me një mision që vazhdon.

Kryeministri Rama është shprehur se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë më produktive se asnjëherë më parë. Rama gjithashtu ka theksuar se njohja përfundimtare e Kosovës do të vijë më shpejt.

Edi Rama: Jemi të gjithë bashkë si asnjëherë më parë. Unë do të doja të sillja në vëmendje një fakt që mua nuk më ka rënë rasti ta them, po as nuk kam pasur rastin të thuhet, por sot pikërisht sot, nuk mund të lihet pa kujtuar se historia jetësore e atyre 40 firmëtarëve të pavarësisë që përshkohet tragjike. Luigj Gurakuqi i cili edhe pse ishte ndër të paktët që u nderuan, pasi u vra si tradhëtar e deri tek Mithat Frashëri. Të gjejnë një qasje për t’i hapur rrugë shumë vonë, por më mirë vonë se kurrë në libra dhe në hapësira të përbashkëta, atyre 40 burrave pa të cilët historia jonë nuk do dihej si do të ishte.

E duke e kthyer fletën tek e sotmja, shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë në raport me të huajt, por përsëri dhe sot unë nuk besoj se shqiptarët janë më mirë në raport me vetveten. Besoj se njohja përfundimtare e Kosovës do të vijë më herët se vonë dhe Kosova nuk do të presë për të qenë e pranishme në çdo instancë të botës ku jetojmë. Akoma më e prekshme dhe më mbreslënëse është pamja në Maqedoninë e Veriut. Maqedonia e Veriut ishte vendi ku gjuha shqipe vazhdonte të shihej si gjuha e një pale të padëshirueshme, flamuri shqiptar të shihej si një provokim. Apo se mund të vinte dita që Mali i Zi të kishte një kryeministër shqiptar.

E për të ardhur, tek marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk janë më thjesht të shkëlqyera, po janë dhe produktive më shumë se kanë qenë kurrë ndonjëherë tjetër dhe këtë e tregojnë faktet e prodhuara jo thjesht në mbledhjet e përbashkëta, por nga vullneti dhe rritja e aftësisë për të zbatuar bashkëpunimin në interes  reciprok. Mjafton të shohësh të dhënat e shkëmbimeve tregtare, apo lirinë e lëvizjes që deri dje dukej një mision i pamundur, apo abetaren e përbashkët, apo punën e përbashkët për fjalorin encikopedik shqiptar apo punën e shqiptarëve, një punë e marrë përsipër nga akedemitë tona të shkencave, apo bashkëpunimin në fushën e energjisë, apo punën në veprën më të madhe të së ardhmes, portin dhe hekurudhën. Për hekurudhën kemi tanimë ofertuesit, një grup i gjerë të cilët kanë ofruar për të marrë përsipër fizibilitetin nga të dyja qeveritë me vendim të përbashkët.

Shqipëri-Kosovë/ Kurti: Të gëzohemi kur përfshihemi në çështjet publike të njëri-tjetrit jo për të penguar, por për të kontribuar

Në fjalën e tij gjatë zhvillimit të seancës së përbashkët mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka uruar të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen “Gëzuar 110-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë”.

Gjatë fjalës së tij, Kurti ka dhënë një mesazh për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë: Duhet të gëzohemi kur përfshihemi në çështjet publike të njëri-tjetrit jo për të penguar, por për të kontribuar.

Albin Kurti: Ju uroj nga zemra 110-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Stërgjyshërit kanë kontribuar për shtëpinë e të gjithë shqiptarëve të hapur për miqtë. Gëzuar festën e shenjtë për identitetin tonë kombëtar. Gëzuar 28 Nëntorin!

Deklarata e pavarësisë evidenton Ismail Qemalin si prijës, mendohet se deklarata është shkruar nga ministri i parë i arsimit, Luigj Gurakuqi.  Gurakuqi shkruante: E kremtja e 28 Nëntorit duhet të jetë një ditë pendimi në të cilën e mbledhim mendjen dhe të bëjmë shqyrtimin e vetëdijes tonë. Duhet të vëmë dorën në zemrën dhe të pyesim veten se a e kemi bërë detyrën ndaj atdheut. Të harrojmë armiqësitë, t’i japim dorën njëri tjetrin dhe të betohemi se do të përpiqemi për të mirën e atdheut tonë.

Duhet të gëzohemi kur përfshihemi në çështjet publike të njëri-tjetrit jo për të penguar, por për të kontribuar. Na duhet të jemi më shpesh bashkë dhe jo vetëm ne politikanët, na duhet të punojmë bashkë, t’i pranojmë kritikat njëri-tjetrit. Urojmë që sukseset e Shqipërisë të ju shtohen për çdo ditë të flamurit. Kemi abetaren e përbashkët dhe po punohet për fjalorin e përbashkët encikopedik. Kemi unifikuar tregjet e punës dhe po punojmë për unifikimin doganor.

Situata nuk është askund rozë dhe nëse ndalim përpjekjen dhe ndalojmë së punuari, menjëherë rrezikojmë. Dua të ju dërgoj një mesazh të gjithë atyre që kanë marrë udhën e dhimbshme të kurbetit. E di se atje nuk po shkoni për qejf, por prej brengës dhe ne ende nuk kemi bërë mjaftueshëm që ju të mendoni të rritjen e fëmijëve tuaj këtu. Shqipëria bëhet, Kosova bëhet. Puna është rruga jonë, nderi dhe besa janë cilësitë tona. Gëzuar nga zemra! Mbarësi dhe mirësi për shqiptarët dhe të gjithë miqtë e shqiptarëve!

Konjufca: Sa më afër Shqipëria me Kosovën, aq më lehtë për t’i mbrojtur interesat e kombit tonë

Glauk Konjufca: 28 Nëntori, dita më e rëndësishme e kombit tonë. Le t’i përshëndesim të gjithë shqiptarët, në Preshevë, në Greqi e në Italia, bashkëatdhetarët tanë kudo që ato jetojnë. Jemi këtu dhe ne jemi me ju dhe juve ju kemi në zemër. 28 Nëntori i mban në gjirin e vet të gjitha ëndrrat tona kolektive, mundin dhe përpjekjen e gjatë për liri dhe dashurinë për kombin tonë. 28 Nëntori është po aq i Shqipërisë sa dhe i Kosovës meqë është i të gjithë shqiptarëve.

Popullin tonë e mbajti të pamposhtuar dashuria për gjuhën tonë shqipe. Rruga ishte e gjatë dhe aspak e lehtë. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe aspirate në BE, kurse Kosova e aspiron NATO-n dhe anëtarësimin në BE.

Përvoja na ka mësuar se po aq sa kemi nevojë të festojmë, po aq duhet të reflektojmë për sfidat që i kemi përpara. Serbia na lufton nga brenda dhe nga jashtë, nuk e fsheh qëllimin për destabilizim të Kosovës. Serbia na lufton nga brenda dhe nga jashtë pa zgjedhur mjete, deri tek financimi i grupeve që janë të lidhura me krimin brenda vendit tonë. Sa më afër Shqipëria me Kosovën, aq më lehtë për t’i mbrojtur interesat e kombit tonë.

Nikolla: Ditë e paharrushme, nder dhe lavdi burrave të Pavarësisë

Lindita Nikolla: Ditë e bukur dhe e paharrushme kjo e sotmja, ku kuvendet mblidhen për të kremtuar 110-vjetorin e ngritjen së flamurit. Dikur dhe si ëndërr nuk mund të na shfaqej ky moment kur ekzistencën, gjuhën dhe identietin na e vinin në diskutim. U bë Shqipëria dhe Kosova, u bënë shqiptarët të denjë të civilizimit që i përkasin. Nder dhe lavdi burrave të Pavarësisë. Shqipëria dhe Kosova janë sot dy vende të pavaruar me aleatë të mëdhenj, SHBA dhe BE.

Në një sallë si kjo, tempulli i demokracisë është vendi i duhur për të kujtuar ata që bënë Kongresin e Lushnjes, që luftuan kundër okupatorëve ne Luftën e Dytë Botërore. Sot është dita për të kujtuar të gjithë ata që nuk e humbën besimin tek liria. Historia nuk është vetëm rrëfëim, por edhe një shkollë që na sjell idetë prej të cilës duhet të marrim frymëzim. Kuvendet tona kanë një rol thelbësor. Jam besimplotë se shqiptarët kudo që jetojnë dhe punojnë, do të dijnë të bënë më të mirën. Gëzuar Shqipëri! Gëzuar Kosovë!

Ora 10:06 – Nis seanca e përbashkët Shqipëri-Kosovë me himnin e Kosovës

Mblidhen kuvendet Shqipëri-Kosovë, momenti i mbërritjes së kryeministrave Rama dhe Kurti

/tvklan.al