E përditësuar/ Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të rinisë në 15:00. Lajmi është bërë i ditur me anë të një njoftimi të postuar në faqen zyrtare Kuvendit.

Pika e vetme e mbetur e kësaj seance është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Adem Mikullovci, i cili drejtonte seancën konstituive e mbylli atë më herët, ndonëse nuk u zgjodh kryetari i Kuvendit, si vendim i domosdoshëm për konstituimin e këtij institucioni.

Mikullovci i kërkoi koalicionit PAN që të propozojë kryetarin e Kuvendit, por PAN nuk e bëri një gjë të tillë, duke çuar në mbylljen e seancës.

Duke u larguar nga salla, deputeti i PDK-së dhe PAN-it, Enver Hoxhaj tha se seanca është mbyllur dhe se tani i mbetet kryesisë së vjetër që të thërrasë seancën e re.

Koalicioni PAN insistoi për një pushim prej dy orësh, edhe pse gjatë votimit, ky propozim nuk mori shumicën e votave.

Seanca konsitutive e Kuvendit të ri, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 Qershorit nisi fillimisht pa deputetët e koalicionit PAN (PDK, AAK dhe Nisma), të cilët u futën në sallë pak më vonë.

Por me rinisjen e seancës Hoxhaj propozoi një pushim dy orësh, pikërisht kur iu emri i kandidatit për kreun e Kuvendit.

Me propozimin e Hoxhajt nuk u pajtuar drejtuesi i seancës, Adem Mikullovci i cili tha se seanca konstituive nuk ndërpritet. Sidoqoftë, ai e vuri propozimin në votim.

Për pushim votuan 60 deputetë, ndërsa kundër po ashtu 60. Për pasojë Mikullovci tha se kërkesa bie dhe nuk aprovohet.


Në seancën e parë të legjislaturës së re, pasi të bëhet betimi i 120 deputetëve zgjidhet edhe kreu i ri i Kuvendit.

Kandidatura kryesore për kryetar është kreu i PDK-së Kadri Veseli, i cili ka qenë drejtues edhe i legjislaturës së kaluar. 

Por koalicioni PAN, që e ka propozuar, pavarësisht se ka një shumicë prej 39 votash, nuk arrin dot 61 vota për ta zgjedhur kryetar.

Në rrezik është edhe krijimi prej tyre i qeverisë së kryesuar nga Ramush Haradinaj, që sipas Kushtetutës duhet krijuar brenda 15 ditëve nga konstituimi i Kuvendit.

Por pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje, koalicioni tjetër i kryesuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe deputetët e minoriteteve kanë shprehur votën e tyre kundër, drejtuesit e Partisë Demokratike të Kosovës shprehën bindjen se do i gjejnë votat për të zgjedhur kreun e ri.

Nuk përjashtohet mundësia e rrjedhjes së votave./tvklan.al